Zyrtarisht qeveria serbe e Millosh Vuçeviç kërkoi raporte të mira me Shqipërinë, por nuk kaloi shumë kohë që Aleksandër Vulin, zëvendëskryeministër në kabinetin e ri, të tregonte qëllimet e vërteta.
“Shqipëria e madhe mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe”, u shpreh Vulin në një reagim agresiv kundër takimit të kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi.
“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë.”
Zëvendëskryeministri serb kërkon nga Greqia që të formojnë një aleancë anti-shqiptare.
“Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë.”
Kjo nuk është hera e parë që Vulin përmend termin “Shqipëri e Madhe” për të shantazhuar apo kërcënuar një shtet tjetër. Zëvendëskryeministri serbe, përpara se të merrte detyrën, iu drejtua Malit të Zi me fjalë tepër ofenduese për shkak të mbështetjes së rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë të paraqitur në OKB.
“E ardhmja e ish-serbëve është Shqipëria e Madhe. Ose ta thuash në gjuhën e rrjedhshme malazeze: ‘Burrat e mëdhenj u bënë frikacakë dhe tradhtarë’”, ka thënë Vulin disa ditë më parë.