MENU
klinika

Detajet

Vizita në Tiranë, ja 3 çështjet themelore që Cameron pritet të diskutojë

21.05.2024 - 19:09

David Cameron, Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, do të vizitojë Tiranën në 22 Maj. Vizita e tij dhe takimet zyrtare në kryeqytetin shqiptar janë paraprirë nga vendosja e flamujve britanikë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Ajo çka është njoftuar më herët është një paralajmërim se fokusi i vizitës së Sekretarit britanik do të jetë lufta ndaj krimit të organizuar, trafiku i paligjshëm i emigrantëve, goditja e korrupsionit dhe skuestrimi i aseteve të krimit.

Sipas ambasadës britanike në Tiranë, kryediplomati Cameron do të shpallë një program të ri për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Ai ka në plan për të deklaruar edhe një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të kontrabandës me shqiptarët që ende vijojnë të synojnë kalimin ilegal drejt Britanisë së Madhe, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.

Cameron do të pritet rreth orës 11:00 të paradites nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Rreth orës 12:00 është parashikuar pritja dhe takimi me Kryeministrin Edi Rama në godinën e Qeverisë, ku më pas do të zhvillojnë së bashku edhe një konferencë për mediat. Në vijim të vizitës në Tiranë, Sekretari britanik do të takojë Presidentin Bajram Begaj, në orën 14:30.

Kjo vizitë vjen pak ditë pas një telefonate që kryeministri Edi Rama zhvilloi me homologun britanik Sunak. Në njoftimin zyrtar të qeverisë britanike, thuhej se dy kryeministrat diskutuan mbi marrëdhëniet e ngushta mes dy qeverive, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh, përfshirë tregtinë dhe investimet.

Sa i takon emigrantëve, të dyja palët nënshkruan në muajin dhjetor 2022 marrëveshjen për të përshpejtuar riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rezultatet tronditëse të një raporti britanik

“Gjysma e rusëve në Londër janë spiunë të Kremlinit”