MENU
klinika

I dha bonusin prej 8 përqind kompanisë...

VOA: Engjëll Agaçi mbi tre orë në SPAK për inceneratorin e Tiranës

17.05.2024 - 21:48

Në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi ishte sot në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës. Zoti Agaçi qëndroi mbi tre orë për të dhënë shpjegime rreth procedurave të ndjekura nga qeveria, për miratimin fillimisht të bonusit kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit, e më pas dhe të kontratës.

Hetimet paraprake të Prokurorisë kanë zbuluar se Këshilli i Ministrave i dha bonusin prej 8 përqind kompanisë “Integrated Energy BV”, me seli në Hollandë, e cila nuk ishte rregjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji, ndonëse një fakt i tillë i ishte vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atërhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, ndërsa ishin shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë. Ndërsa, sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e rregjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017.

Në dalje nga Prokuroria e Posaçme, zoti Agaçi deklaroi se ishte thirrur si “person që ka dijeni”, pa dhënë elementë të tjerë. Ai ka qenë ndër personat e vënë në qendër të akuzave të opozitës, lidhur me çështjen e inceneratorëve.

Dy ditë më parë, në Prokurorinë e Posaçme ishte dhe zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku e cila deklaroi se “kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë një herë e mirë, të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi pafalshëm”

Në fund të muajit prill, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, qëndroi afro 7 orë përballë hetuesve të çështjes. Ndërsa kur doli, tha ndër të tjera se “patëm një shterrim total, të cështjes së inceneratorëve”, dhe se besonte se gjithshka ishte sqaruar. I vënë në qendër të akuzave, kryesisht nga opozita, zoti Veliaj ka mohuar të jetë i përfshirë në rastin e inceneratorit të Tiranës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i qytetit”.

Ndaj zotit Veliaj janë lëshuar akuza dhe nga ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i cili ka thanë se disa prej veprimeve të kryebashkiakut “janë ato të një pronari faktik” të inceneratorit. Zoti Ahmetaj u përfshi në hetimet për rastin e inceneratorëve, pas dyshimeve për lidhje të tij me dy sipërmarrësit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto të cilët konsiderohen nga prokuroria si pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier.

Ish zëvendëskryeministri ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për përfshirjen e tij në procedurat e inceneratorëve, duke deklaruar se nuk ka firmosur asnjë dokument për to, e se madje ai kishte kundërshtuar që në rastin e Tiranës, projekti të financohej nga buxheti i shtetit. Ai ndodhet jashtë vendit në Zvicër, që kur verën e kaluar, parlamentit iu kërkua autorizimi për arrestimin e tij e më pas lëshua dhe një urdhër arresti për disa vepra penale që nga “shpërdorimi i detyrës” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave”. Mbi të rëndojnë dyshime për përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e kontratave koncensionare për inceneratorët./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN