Një 24-vjeçar, punonjës i aeroportit të Rinasit është arrestuar nga policia, pasi i ka vjedhur një pasagjeri orën me vlerë 20 mijë euro.
Policia sqaron se arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij.
“Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve, i cili u arrestua”, thotë policia.
Njoftimi i policise
Vodhi një orë të shtrenjtë, në një prej bagazheve të udhëtarëve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari, punonjës për ngarkim-shkarkimin e bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve në Rinas.
Sekuestrohet ora me vlerë rreth 20 000 euro.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, shtetasi K. Q., me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit K. Q., 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë.