Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë që njeh Palestinën si të kualifikuar për t’u bërë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara dhe rekomandon që Këshilli i Sigurimit “të rishqyrtojë çështjen në mënyrë të favorshme”. Drita jeshile nga CDS (ku SHBA vuri veton muajin e kaluar) është një kusht i domosdoshëm për çdo miratim të plotë.
Rezoluta mori 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime, mes tyre dhe Shqipëria. Izraeli e quajti miratimin e rezolutës një vendim absurd që shpërblen Hamasin.
“Mesazhi që OKB-ja i dërgon rajonit tonë të vuajtur është se dhuna shpërblehet”, tha ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.
“Izraeli është mirënjohës për të gjitha ato vende që nuk votuan pro ose nuk bashkëpunuan me këtë lëvizje të shtrembëruar, duke zgjedhur të jenë në të djathtë ana e historisë dhe moralit”, vijoi ai.
Vendet e tjera që abstenuan janë, Bullgaria, Austria, Kanadaja, Kroacia, Fixhi, Finlanda, Gjeorgjia, Gjermania, Letonia, Lituania, Ishulli Marshall, Hollanda, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Paraguaj, Rumania, Vanuatu, Malavi, Principata e Monakos, Ukraina, Britania e Madhe, Suedia dhe Zvicra.
Ndërsa nëntë vendet që votuan kundër janë SHBA, Izraeli, Palau, Nauru, Mikronezia, Papua Guinea e Re, Hungaria, Argjentina dhe Republika Çeke.
Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood e bëri të qartë se administrata e Biden është kundër rezolutës së Asamblesë.
“Kemi qenë shumë të qartë që në fillim se rruga për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara është përmes negociatave me Izraelin. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, tha ai.
Në 18 prill, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit, të mbështetur gjerësisht, që do t’i kishte hapur udhë anëtarësimit me të drejta të plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara, një synimi të kahershëm të palestinezëve që Izraeli është përpjekur ta pengojë.
Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të “jenë të angazhuara për paqe” dhe Këshilli i Sigurimit duhet t’ia rekomandojë pranimin e tyre Asamblesë së Përgjithshme, e cila bën miratimin përfundimtar. Territoret palestineze morën statusin e shtetit vëzhgues, jo-anëtar të OKB-së, në vitin 2012.
Rezoluta “përcakton” se Autoriteti Palestinez do të kualifikohej për anëtarësim, duke hequr terminologjinë fillestare që në gjykimin e Asamblesë së Përgjthshme “është një shtet i angazhuar për paqe”. Bazuar në këtë, i rekomandohet Këshillit të Sigurimit që të rishqyrtojë kërkesën e Autoritetit Palestinez në mënyrë “të favorshme”.