Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ka bërë thirrje autorit të vrasjes së policit në Fier, Novruz Cenalia që të dorëzohet.
Në një prononcim për mediat, ministri tha se është e papranueshme që të ngrihet dorë mbi një efektiv policie.
Ndërkohë ai nxiti autoritetet dhe policinë e shtetit që të bëjnë gjithçka për të vënë në pranga, autorin e dyshuar, shtetasin, Azgan Mërnica.
“Dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës të një punonjësi policie. Nxis policinë e shtetit dhe drejtuesit e policisë që të bëjnë gjithçka për arrestimin e autorit. Do të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë që është e papranueshëm që të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie. Nuk dua të interpretoj informacionet paraprake. Ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje. Përgjegjësia e parë që bie mbi policinë është identifikimi i autorëve. Kam besim që forca kombëtare e Sigurisë, Renea dhe forcat e tjera që janë në operacion kërkimi të konkludojë. Dua ti bëj një thirrje familjarëve dhe personit që rëndon akuza të dorëzohet”, tha ministri.
30 mije euro shperblim
Policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh kush jep informacion mbi autorin, shtetasin Azgan alias Aslla Mërnica.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi Novruz Cenalia, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica (në foto), 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro”, tha policia në një informacion për mediat.
Krimi dhe pistat e hetimit
Krimi i rëndë ndodhi në fshatin Baltëz të Fierit, gjatë kohës kur efektivi po shkonte për në punë. Zyrtarisht policia thotë se shkak për këtë vrasje dyshohet të jetë bërë një konflikt i çastit.
Viktima dyshohet se e ka parakaluar të riun dhe ky i fundit e qëlloi me pistoletë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.
Autoritetet nuk përjashtojnë edhe pista të tjera hetimi, pasi autori ashtu sikurse viktima ishin me origjinë nga Hasi.
Babai i 28-vjeçarit, me profesion po ashtu efektiv policie, mësohet se në kushtet e vetëmbrojtjes kishte vrarë në 1997 fqinjin e tij. Që prej asaj kohe, familja Cenalia ishte larguar për t’u vendosur në Fier, dyshohet për shkak të gjakmarrjes.
Efektivi Novruz Cenalia kishte rreth 3 vjet që ishte pjesë e policisë. Aktualisht ai ishte pjesë e repartit “Shqiponja”.