Pas afro dy vitesh zvarritje me hetimet dhe gjykimin, duket se po shkon drejt fundit procesi për vdekjen e Jonada Avdiajt në gusht të 2022, e cila u copëtua me skaf nga efektivi Arjan Tase.
Sot është dhënë pretenca nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka kërkuar 15 vite burg për të. Procesi ka dy vite që vetëm zvarritet dhe tani poritet që pas konkluzionit të palës mbrojtëse të jepet vendimi i gjykatës.
“Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, deklaron se provohet se ditën e ngjarjes, në datën 02.08.2022, rezulton se i pandehuri A.T., ka qënë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë dhe pasi ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij J.A., mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin. E mitura J.A. ndërroi jetë në moment.
Në lidhje me të pandehurin A.T., nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, kqyrja e vendit të ngjarjes, e pamjeve filmike, provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal në formën e dashjes indirekte”, thekson prokuroria.
Organi i akuzës, ka bindjen e plotë se i pandehuri A.T., ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Vrasja me dashje’, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, në lidhje me kualifikimin e faktit penal si ‘Vrasja nga pakujdesia’.