Zbërthimi i aplikacionit të mesazheve të koduara SKY ECC, që çoi më pas në aksionin e SPAK të njohur si “Metamorfoza 3”, zbuloi planin e disa personave të angazhuar për të vrarë Durim Bamin, personazhin e njohur të botës së krimit nga Fushë-Kruja.
Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Astrit Avdyli e të tjerë i ishin vënë pas për ta vrarë me kërkesë dhe porosi të Ndokës dhe Martinajt.
Kjo luftë në botën e nëndheshme të krimit të organizuar po zhvillohej gjatë vitit 2020. Por teksa lufta mes palëve ishte e ndezur dhe secili prej tyre ndiqte njëri-tjetrin me synimin për ta vrarë, ndodh një takim i papritur.
Emisioni ‘Uniko’ në lidhje me dosjen e SPAK për këtë operacion, ka mësuar se më 14 Shtator 2020, Ervis Martinaj është takuar me Durim Bamin dhe Valteri Bamin me ndërmjetësimin e Behar Bajrit, ky i fundit nga Shkodra, pjesë e një grupi kriminal në atë qytet.
Lajmi për takimin e tyre mori dhenë dhe u përhap menjëherë në bisedat e SKY ECC të personazheve të përfshirë.
Arben Ndoka komunikoi me Bardhyl Mavrajn dhe ky i fundit e pyeti nëse ka dijeni që Behar Bajri është personi që mundësoi takimin e Durim Bamit me Vis Martinajn.
Ish-deputeti Ndoka u përgjigj duke i thënë se është në dijeni pasi e ka informuar vetë Ervis Martinaj. Në një tjetër bisedë të Martinajt me Marklen Hakën, e datës 14 Shtator 2020 pas takimit me Durim Bamin, Markleni i thotë Vis Martinajt që nuk duhet t’u ketë besë vëllezërve Bami.
Edhe Visi i thotë që “tani që më takuan do t’ju ruhem më shumë, ata e dinë që nuk ja u kam besën”.