MENU
klinika

Detajet

Zyrtarizohet takimi me emigrantët shqiptarë në Greqi, tubimi do të mbahet në stadiumin e Galatsit

09.05.2024 - 17:16

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi do të mbahet në Galatsi. Mediat greke raportojnë se tubimi do të mbahet në stadiumin e Gatalsit.

“Në Galatsi do të zhvillohet tubimi ku kryeministri shqiptar Edi Rama do t’i drejtohet bashkatdhetarëve.

Sipas informacioneve të transmetuara nga televizioni MEGA, tubimi do të zhvillohet në stadiumin e brendshëm të zonës. Sipas të njëjtave informacione, leja është dhënë nga Shoqëria Shtetërore e Pasurive të Paluajtshme dhe marrëveshja është mbyllur nga personi privat që administron objektet olimpike në Galatsi”, shkruajnë mediat greke.

Kujtojmë se, gjatë intervistës për median greke “protothema.gr”, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke iu referuar vizitës së Ramës në Greqi tha se “ndoshta është e panevojshme”, teksa shtoi se megjithatë qeveria as nuk do ta ndalojë, as nuk do ta lehtësojë një ngjarje ku merr pjesë kryeministri shqiptar Rama.

“Nuk është një vizitë, do të thosha, me karakteristika dypalëshe. Ai vjen, e kuptoj, për të folur me bashkatdhetarët e tij. Ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Përtej kësaj, mendoj se edhe ky është një opsion që në situatën aktuale, në funksion të zgjedhjeve europiane, më duket mjaft i panevojshëm. Qeveria greke nuk mundet, ne jemi demokraci. Ne nuk e ndalojmë të drejtën e tubimit e cila është e mbrojtur me kushtetutë, kështu që nuk i kushtoj aq rëndësi”, tha Mitsotakis.

Ndërsa nga ana e tij, kryeministri Rama tha se tubimi nuk ka të bëjë me zgjedhjet europiane dhe as me çështje të brendshme apo narrativa që nxisin qytetarët grekë.