Partia Demokratike shpalos më 1 Qershor në orën 11:00 nga Parku Olimpik programin elektoral, që i hap rrugën nisjes së fushatës së saj për zgjedhjet parlamentare të 2025.
Demokratët e vulës prej muajsh po punojnë në selinë e vogël ende me qira, për alternativën e tyre qeverisëse.
Ekonomia do të jetë kryefjala e programit me propozime si vende të reja pune me paga të larta, taksa e sheshtë, qeverisja e vogël, parashikueshmëria fiskale si dhe nxitja e konkurrencës.
Edhe bujqësia do të ketë një vend të rëndësishëm. Ndër propozimet që Lulzim Basha dhe ekspertët e tij do të kenë janë subvencionet dhe investimet në këtë sektor.
Përpara demokratëve, Basha do të premtojë edhe zgjidhjen e çështjes së pronës si dhe alternativa për artin, kulturën, sportin e shëndetësinë.
Betejën që nuk arriti ta çonte deri në fund në Kuvendin e Shqipërisë për ndihmë financiare Kosovës, Basha kërkon ta fusë në programin e tij, për financim vjetor 50 milionë euro, ku do të parashikojë edhe bashkërendim të axhendave me vendet e tjera të rajonit.
Megjithatë ky program, vjen në një kohë, kur Basha dhe pjesa tjetër e demokratëve, ata të Rithemelimit ende nuk kanë zgjidhur në gjykatë çështjen e vulës. Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e PD më 11 qershor. Kjo çështje si dhe ristrukturimi i partisë, pas përçarjes së thellë, duket se po mbajnë peng edhe nxjerrjen e kandidatëve, të cilët Lulzim Basha pritet t’i zbulojë pas verës.