MENU
klinika

Sami Frashëri

174 vite më parë lindi ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

01.06.2024 - 16:49

Sot janë bërë 174 vite nga lindja e intelektualit, gjuhëtarit, romancierit dhe ideologut themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll. Ai ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.

Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk, i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht. Në opinionin turk njihet si “babai i enciklopedistëve.”

Ai nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës turke, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861).

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Ai vdiq në Stamboll më 18 qershor 1904.

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!