MENU
klinika

Saga u përmbyll me vendimin e Apelit

Analiza e DW: Vula e PD-së, ribashkim i së djathtës apo parti të reja

14.06.2024 - 14:24

Saga e vulës dhe e logos së Partisë Demokratike të Shqipërisë u përmbyll me vendimin e Gjykatës së Apelit. Ajo vendosi më 11 qershor t’ia kalonte ato grupit të “Rithemelimit”, drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha.

Ky vendim i Gjykatës së Apelit në Shqipëri zgjidhi ngërçin e krijuar prej rreth dy vitesh mes të djathtëve, për çështjen e vulës së partisë, por la pas pikëpyetje mbi fatin e mëtejshëm të tyre. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit për Studime Politike në Tiranë, tha për Deutsche Wellen se vendimi i Apelit e bëri të qartë se kush është opozita dhe kush ka të drejtë ta përfaqësojë atë. Por sipas tij, kjo shtron përpara grupimit të “Rithemelimit” sfidën për t’u ndryshuar dhe për t’u reformuar, në mënyrë që të jenë gati të përballet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nga dritarja e banesës së tij në rrugën ‘’Mustafa Matohiti” ku qëndron prej muajit dhjetor (2023) në arrest shtepie, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e fshehu entuziazmin për rimarrjen e simboleve të partisë nga Lulzim Basha. Përpara dhjetra mbështetësve të tij, që mblidhen aty çdo mbremje, Berisha e cilësoi këtë si ‘’fitoren më të rëndësishme në histori”. Më tej lideri i së djathtës i bëri thirrje demokratëve të bashkohen me selinë blu ‘’për të shpëtuar Shqipërinë”.

Sipas politologut Afrim Krasniqi pavarësisht fitores në sistemin gjyqësor situata e zotit Berisha mbetet e vështirë, po ashtu edhe ajo e opozitës. Problemi kryesor sipas Krasniqit është njehësimi i partisë politike me problematikën penale dhe personale të liderit demokrat. ‘’Partia Demokratike nuk flet për reforma, nuk ka program, nuk paraqet ide, nuk e kryen rolin e opozitës konstruktive. Ajo shërben si një strukturë mbështetëse e liderit politik” – shprehet politilogu për DW Shqip. Në kushtet kur zoti Berisha ndodhet nën hetim për korrupsion dhe i shpallur non grata nga dy aleate të Shqipërisë si ShBA-të dhe Britania e Madha, Krasniqi e sheh këtë si një pengesë madhore për të udhëhequr Shqipërinë në proceset e integrimit.

Ribashkim apo formacione të reja të djathta?

Teksa nxitonte t’i bashkohej mbledhjes me anëtarët e strukturës të tij fill pas vendimit të Apelit, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje demokratëve të mos mërziten pasi lufta e tyre ‘’as nuk nisi, as nuk vazhdoi për logo, për vulë, apo për karrige”. Deklaratën e shkurtër përpara gazetarëve Basha e përmbylli duke thënë se vendimi qe do të merret për më tej synon të përmbushë objektivin e demokratëve për largimin e qeverisë në pushtet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN