MENU
klinika

E punësoi, vrau dhe e hodhi në rrugë lakuriq!

Detaje nga ekzekutimi makabër i Eraldo Nevruzit

07.06.2024 - 19:47

Detaje të tjera të rënda dalin në dritë për vrasjen e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi orët e para të së enjtes në Dhërmi. Burime nga policia e Vlorës për Klan News bëjnë me dije se Gerald Shehu e kishte planifikuar vrasjen e 31-vjeçarit. Sipas këtyre burimeve, përgjatë mbrëmjes të 43-vjeçari e ka marrë veçmas viktimën në një prej dhomave ku pushonte stafi, duke u kujdesur të justifikonte edhe mungesën e tij tek vendi i punës.

Aty e ekzekutoi për vdekjen e më pas me ndihmën e dy bashkëpunëtorëve, Daniel Qose dhe David Larti u vu në zbatim plani për zhdukjen e trupit të tij. Të 3 së bashku, e zhveshën, i morën sendet personale, rrobat, dokumentet e identifikimit dhe i dogjën te furra e picerisë.

Trupin e mbështollën me plastmas, e futën në makinën Audi A8 të 43-vjeçarit dhe më pas ky i fundit u largua nga hoteli. Ndalesën e radhës e bëri në shtëpinë e tij. Atje u ndërrua, mori pasaportën dhe paratë e nevojshme për t’u larguar nga vendi. Hipi sërish në makinë, ndërsa trupin e Eraldos e kishte ende me vete. Referuar kamerave të sigurisë në rrugë dhe biznese, diku përgjatë aksit Dhërmi-Himarë, autori i dyshuar bëri një ndalesë më makinë. Pikërisht në këtë moment dyshohet se hodhi dhe kufomën.

Nga vrasja te arratisja
Vrasja e 31-vjeçarit ndodhi rreth orës 01:00, ndërsa autori i dyshuar është nisur për Greqi në orën 05:00 të mëngjesit. Rrugën nga Dhërmiu në Sarandë e ka bërë për rreth 1 orë. Kur mbërriti në këtë qytet, makinën e fshehu në një magazinë të vjetër afër portit detar në lagjen numër 4. Nga aty mori një taksi deri në Qafë Botë. Edhe pas kalimit të kufirit, për të udhëtuar drejt Igumenicës, Shehu udhëtoi sërish me taksi. E nga Igumenica mori tragetin për në Korfuz, aty ku planifikonte të merrte avionin për në Angli.

Të gjitha këto detaje në fakt flasin për një vrasje të paramenduar dhe është pikërisht akuza që ka ngritur edhe prokuroria e Vlorës.

Megjithatë plani i 43-vjeçarit për t’u arratisur drejt Anglisë dështoi falë bashkëpunimit në kohë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke. Kjo bëri që Gerald Shehu të arrestohej gjatë orëve të pasdites të së enjtes në aeroportin e Korfuzit. Aktualisht ai ndodhet i arrestuar pikërisht në ishullin fqinj ndërsa autoritetet shqiptare plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për përshpejtimin e ekstradimit të tij.

Motivi i vrasjes ende mister
Ndërkohë, po sipas burimeve të Klan News, autori me viktimën konfirmohet se kanë patur njohje në Angli. Dyshimet janë se konflikti mund të ketë nisur pikërisht gjatë asaj kohe. Si Gerald Shehu, ashtu sikurse dy bashkëpunëtorët e tij mësohet se kishin rreth 5 vjet që punonin në “Greccia”, ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.

Ende janë të paqarta shkaqet e këtij krimi. Shehu ishte bashkëpronar i hotelit në fjalë bashkë me vjehrrën e tij. Eraldon mësohet se e kishte punësuar si recepsionist para pak ditësh.

Gjetja e trupit
I mbështjellë me qese të zezë, trupi i pajetë i Eraldo Nevruzit, u gjet këtë të premte në zonën e njohur si “Përroi i Gjipesë”, mes Dhërmiut dhe Vunoit. 31-vjeçari u gjet buzë rrugës, me shenja dhune në trup. Në mesin e sendeve që u gjetën po në këtë vend ishin edhe doreza të gjakosura, qese plastike e njolla të dukshme gjaku përtokë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U vra nga bashkëpronari i hotelit

Gjendet trupi i recepsionistit Eraldo Nevruzi

Dyshohet se u vra nga dhëndri i pronares së biznesit

Detaje/ Zhduket recepsionisti i hotel ‘Greccia’ në Dhërmi