MENU
klinika

“Po mbërrijnë huliganët shqiptarë”

E përditshmja britanike ndez alarmin ndaj Euro 2024 për një grupim që ndjek Kombëtaren

09.06.2024 - 19:13

Grupimi “Illyrian Elite”, që është shpallur prej vitesh “non grata” në ndeshjet e Kombëtares shqiptare, vazhdon të bëjë emër për arsyet më të gabuara të mundshme. Këtë radhë, grupimi i krijuar për të mbështetur përfaqësuesen shqiptare, ka përfunduar në mediat britanike që i kanë etiketuar si huliganë dhe i kanë bashkuar përfaqësuesit e tij me neo-nazistët.

“Kaosi i Euro 2024 pasi huliganët shqiptarë “po mbërrijnë në Gjermani””, është artikulli që tabloidi “Express” ka botuar sot, duke iu referuar këtij grupimi.

“Në mesazhe në aplikacionin Telegram, anëtarë të grupimit shqiptar ultras “Illyrian Elite” pretendojnë se kanë udhëtuar drejt rrugëve të Gjermanisë, ndonëse janë të ndaluar nga federata e tyre që të blejnë bileta, teksa kanë shpërndarë foto me përshëndetje naziste dhe flakadanë”, shkruan tabloidi britanik.

Në të njëjtin artikull më pas theksohet se në forumet e tifozëve, po organizohet një verë e dhunshme në Gjermani me përplasje të palëve, por edhe me ideologjinë neonaziste që mund të dalë në pah, teksa janë sugjeruar edhe sulme me bazë raciste apo fetare në qytete të ndryshme.