Numërimi mbrapsht për ndryshime në qeveri, drejtorësh të lartë dhe madje edhe në grupin parlamentar të Partisë Socialiste duket se ka nisur. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, ai i cili pak ditë më parë në Asamblenë e PS të mbajtur online, zbuloi se do të ndryshohet skema e përcaktimit të listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025. Kjo do të thotë se shumë nga deputetët aktualë mund të largohen, ndërkohë që vendin e sigurtë nuk e kanë as ministrat, çka tregon se ujërat brenda PS janë trazuar. Shumë po arrestohen, por ka dhe të pakënaqur. Rama po mundohet t’i largojë nga vetja ata që i hanë kumbulla, por kjo nuk e ka ndihmuar. Kështu që për të çuar përpara planin e tij të spastrimit, Rama ka menduar që të hedhë piketat në mbledhjen e Kongresit të Partisë Socialiste më 20 korrik. Shefi i qeverisë është shumë i pakënaqur nga ministrat, depuetët dhe drejtorët e rëndësishëm, të cilëve pritet t’ua japë goditjen muajin tjetër. Mësohet se ky vendim ka shkaktuar ankth në radhët e socialistëve dhe sidomos në radhët e zyrtarëve të lartë. Jo thjesht për mënyrën okulte me të cilën Rama i merr vendimet e tij për zëvendësimet, as për humbjen e privilegjeve që vijnë bashkë me postin ministror, por edhe se të jesh një “ish” i qeverinë e Ramës të bën automatikisht ushqim për statistikat e drejtësisë së re. Megjithatë mbetet të shihet të shtunën e 20 korrikut, veçse një gjë është e sigurtë që ciklonit dhe furtunës nuk ka për t’i shpëtuar askush, sidomos ata zyrtarë (ministra, deputetë e drejtorë të lartë) që kanë llogari të hapura me drejtësinë dhe po hetohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.
Paralajmërimi
Por paralajmërimin për ndryshime të forta në radhët e ministrave dhe grupit parlamentar i kanë dhënë këtë javë edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi. Ky i fundit teksa foli dje në një media, konfirmoi se PS do të ketë rinovime para zgjedhjeve parlamentare që garon për mandat të katërt. Zoti Klosi theksoi se Partia Socialiste në 32 vite ka treguar se i jep rëndësi harmonizimit të brezave, por edhe mbajtjes së gjeneratave. “Ajo që PS ka treguar në gjithë këto 32 vite jetë të saj, është harmonizimi i brezave dhe mbajtja e gjeneratave. Që nga asambleja e dhe themeluesit në parti, kontributor të rinj të kësaj partie. Kjo ka qenë filozofia jonë në 33 vite. Nëse kemi një meritë është të qenurit të gjithë bashkë edhe pse brezat zëvendësojnë njëri tjetrin. PS ia doli që me votimin 1 anëtar një votë në trupën e delegatë të kongresit, ¾ të ishin të rinj. Pra prurja e elementëve të rinj, nuk është risi. Sa i përket listës së deputetëve do të jetë proces me propozime nga e gjithë struktura, me një strukturë që do të kërkojë fitoren e mandatit të katërt që është objektivi ynë madhor”, deklaroi Klosi. Ndërkohë një paralajmërim i kësaj natyre është bërë pak ditë më parë edhe nga ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali. Ajo u shpreh se treçereku i qeverisë apo Parlamentit mund të mos jetë në këto pozita pas zgjedhjeve të vitit 2025. Përgjigjja e saj erdhi pas pyetjes se pse u ngritën tani dy komisionet e anti korrupsionit dhe dezinformimit, kur dihet që është sesioni i fundit parlamentar? “Nuk është çështje kohe, është çështje objektivi se ku do të arrish. Ky sesion mbaron shumë shpejt dhe nis edhe sesioni i fundit për këtë legjislaturë. Gjykuam që duhet tani. Komisioni për Mirëqeverisjen është një komision që ka për synim që të dalë me një plan veprimi. Parlamenti ka gjithë tagrin dhe hapësirën që ia jep Kushtetuta që të mundësojë që si ekzekutivi, institucionet e pavarura dhe ato të krijuara me ligj të raportojnë për disa çështje që janë aty në sytë e të gjithëve: raporti i BE-së me rekomandimet përkatëse. Kjo për ne nuk është çështje individësh apo identikitesh. Unë jam, mund të mos jem në Parlament apo në qeveri. Treçereku i qeverisë apo i Parlamentit është dhe mund të mos jetë në Qeveri apo në Parlament. Ajo që mbetet dhe është e pandryshueshme është dëshira, vullneti dhe puna jonë për të lënë një Shqipëri më të fortë”, deklaroi ajo. Pra sinjalet që jep Klosi dhe Spiropali janë se zgjedhjet e 2025 do të jenë me shumë surpriza. /Nga Rigels Seliman