Kryesfida e kësaj të shtune në Euro2024 do të luhet në stadiumin e “Signal Iduna Park” të Dortmundit.
Turqia dhe Portugalia do të luajnë në orën 18:00 takim që vlen shumë për llogaritë e grupit F. Dy kombëtaret kanë marrë pikët e plota në sfidën e parë dhe duelojnë për kreun.
Portugalia dhuroi emocione në ndeshjen e parë, pasi iu desh të përmbys 2-1 Republikën Çeke. Trajneri Roberto Martínez këmbënguli se skuadra e tij ishte fituese e denjë, por e shqetëson fakti i pësimit të golave, tani në pesë nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit.
Turqit tentojnë kalimin përtej fazës së grupeve për herë të parë që nga viti 2008, ndërsa kurrë nuk kanë mundur Portugalinë në finalet e Europianit, duke pësuar 3 humbje.
Në fakt ata kanë dështuar të shënojnë në të tre ato ndeshje, por me Turqinë që ka shënuar të paktën një herë në 11 nga 13 ndeshjet e tyre të fundit ndërkombëtare, duhet të besojnë tek një rezultat pozitiv.
Kjo do të jetë hera e 10-të që dy kombëtaret përballen me njëra-tjetrën, me bilancin që flet në favor të Portugalisë, me 7 fitore e 2 humbje.