MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Evropa ende është anti-Putin

10.06.2024 - 18:53

Ka një gëzim të sovranistëve për avancimin e të djathtës, sidomos në Francë dhe pastaj në vende të tjera të Evropës. Mes tyre janë edhe të djathtët e vërtetë dhe ata filo Putin apo Xi. Në fakt e gjitha është paksa e mjegullt. Është e vërtetë që e majta ka humbur shpesh në kauza minore, duke bërë që të shpërndajë fuqitë e saj. Sikurse ka një lloj lodhjeje të saj nga pushteti i stërzgjatur, ngatërrimi me kauza liberale apo mungesa e liderëve karizmatikë. Por asgjë që mund të sjellë një erë të acartë në Evropë.

Rekordin e votës djathtas që ka gëzuar edhe Peskovin si zëdhënës i Putinit, e mban Franca. Duket sikur fitorja e Le Pen e rrëzoi Makronin. Por në fakt kjo ka ngjallur reagimin e tij dhe Makroni menjëherë i shpalli sfidë Le Penit duke dekretuar zgjedhjet e parakohshme. Dhe këto lloj zgjedhjesh nuk janë njësoj me të së dielës që sapo shkoi. Kjo do të sjellë një mobilizim të elektoratit të majtë, i cili këtë radhë nuk është se e vuri shumë ujin në zjarr.

Edhe në rast fitoreje të Le Pen, derisa kjo të marrë realisht frenat e pushtetit, d.m.th t’i marrë presidencën Makronit, është rrugë e gjatë. Dhe për këtë duhet të kalojë në sprovën e qeverisë, e cila në një republikë presidenciale ku Makroni do kujdeset t’i nxijë jetën, nuk do ta ketë jetën të lehtë.

Po ashtu në Gjermani avancimi i të djathtës ekstreme ADF është bërë në kurriz të së majtës. Ndërkohë kristiandemokratët i kanë të salduara kuotat drejtuese dhe nëse do të ketë zgjedhje të reja, kryeministri i ardhshëm do të jetë ai që del nga radhët e qendrës.

Italia shënoi një triumf të Melonit, por kujdes. Ajo ka vetëm një të tretën. Për më tepër gjuha e saj ka kohë që është korrigjuar në atë të një partie të qendrës së djathtë. Është një rrugë që duhet ta ndjekin edhe të tjerët. Shembulli i Syrizas është një leksion për të gjitha krahët e politikës që provojnë të sjellin ekstremizmin në pushtet duke kalëruar populizmin, por pastaj ngecin në rrjetën e sistemit.

Kurse sa i takon fitoreve të së djathtave austriake dhe greke, këto nuk ndryshojnë dot kursin e BE-së. Janë dekor. Ndaj më shumë sesa zgjedhje që do të sjellin ndryshimin, këto janë një shkundje për politikën që duhet të marrë përgjegjësitë e saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN