Çfarë opozitarizmi ndaj qeverisë që sot drejton Shqipërinë dhe ndaj kryetarit që drejton bashkinë e kryeqytetit shprehin ato grumbullime kaotike e të dhunëshme të 100 a 200 vetëve që gjuajnë me molotovë dhe djegin goma?
Çfarë kërkojnë e ç’thonë ata njerëz, kaq të paktë në numër dhe disa kaq brutalë edhe ndaj forcave të policisë, që mision kanë ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e objekteve publike?
Kjo është mënyra për ta rrëzuar qerinë e për ta detyruar kreun e bashkisë të dorëhiqet nga detyra në të cilën nuk e kanë zgjedhur ata 100 a 200 vete (disa prej të cilëve mund edhe të mos jenë banorë të Tiranës), por e kemi zgjedhur ne, shumica absolute e votuesve ndër ata afro një milionë banorë që jetojmë në Tiranë dhe në 13 njësitë administrative të qarkut të saj?
Cilët politikanë opozitarë i prijnë këtij “populli opozitar” 100 e ca vetësh në këtë lojë gomash makinash e molotovesh që digjen e ndotin ajrin që thithim të gjithë ne dhe fëmijët tanë?
Njëri syresh, i dëshpëruar që nuk e mori dot bashkinë e kryeqytetit me voten e qytetarëve të saj një vit më parë, tani, në krye te nje grumbulli njerëzish që as vetë s’dinë ç’kërkojnë, beson se do ta marë bashkinë mes tymit dhe erës mbytëse të gomave të djegura para bashkisë!
Çdo mushkë e di rrugën në të cilën shkon, por këta politikanë nuk dinë ku janë, në ç’rrugë ecin e ku duan të venë. Ngujohen në një vend (para bashkisë) dhe zhvendosen pak me tutje (para kuvendit) dhe flakët e tymi i gomave të djegura nuk i lejon të shohin se nuk po shtohen në numër, nuk po bëhen një mijë a dy mijë vetë, dhjetë apo njëzet mijë, tridhjetë apo dyzetë mijë, por kanë mbetur aq sa ishin dhe po ata.
Janë të njëjtët. Ndoshta të njëjtët që ditën djegin goma para bashkise dhe kuvendit të Shqipërisë dhe mbrëmjeve bëjnë ritualin e tyre poshtë dritares së kreut të kultit ku bëjnë pjesë, me fytyrën dhe gishtat e tij përpjetë stampuar në fanella të zeza. Heil my lider! Heil Sali!
Një “lëvizje” si kjo e gomëdjegësve të drejtuar nga eksponentë të kultit berishian nuk lëviz asgjë, as në Tiranë, as në realitetin shqiptar. Tymi dhe aroma e gomave të djegura nuk joshin e nuk afrojnë njeri në sheshet ku “revolta popullore” synon të mare bashkinë e të rrëzojë qeverinë; ato veç i largojnë njerëzit prej atyre shesheve dhe prej udhës pa krye që aty nis e aty bitis.
Të mos jesh në gjendje të kuptosh një gjë kaq të thjeshtë e të shohësh me sipër e më larg fytyrave të maskuara të disa keqbërësve, apo 100 a 200 vetëve me të cilët s’të lidhin as ide, as vizione të përbashkëta, është, ndoshta, prova më e mirë se jo vetëm nuk di se si t’i mobilizosh, të organizosh e të përdorësh sot idetë, resurset dhe përpjekjet tua për të fituar besimin dhe votat e qytetarëve, por as nuk di se si do të mund ta kryesh punën dhe rolin drejtues nëse këtë përgjegjësi e fiton nesër me votë.