MENU
klinika

“Të gjithë e kanë kuptuar se ai është kaosi“

Macron përballet me kritika të ashpra: Franca do të shkonte në luftë civile nëse…

25.06.2024 - 19:16

Ndërsa po afrojnë zgjedhjet në Francë, kundërshtarët e presidentit Emmanuel Macron kritikuan komentet e bëra prej tij të hënën se një fitore e partisë të së djathtës së skajshme Bashkimi Kombëtar, ose e aleancës së majtë Fronti i Ri Popullor, do ta çonte Francën në luftë civile. Franca do të mbajë raundin e parë të zgjedhjeve në 30 qershor.

Presidenti francez tha gjatë një interviste të hënën, se manifesti i partisë Bashkimi Kombëtar, që radhitet e para në anketime dhe zgjidhjet që ajo ofron për t’u përballur me kriminalitetin dhe emigracionin janë të bazuara tek “stigmatizimi dhe ndasitë”.

Ai bëri kritika të ngjashme dhe për Partinë e së majtës së skajshme Franca e Papërkulur (LFI), që është pjesë e koalicionit Fronti i Ri Popullor.

Presidenti i partisë Bashkimi Kombëtar (RN), Jordan Bardella u pyet rreth komenteve të presidentit Macron gjatë një emisioni për kanalin M6.

“Një president nuk duhet të thotë gjëra të tilla. Unë dëshiroj të rikthej sigurinë për të gjithë popullin francez… Këta janë që i trembin francezët. Jemi një vit pas trazirave që goditën rëndë qytetet franceze. Çdo ditë në vendin tonë, miliona francezë, në veçanti gratë në vendin tonë, në publik, në mjetet e transportit publik, nuk ndihen të sigurta”, tha zoti Bardella duke vënë në dukje nivelin e kriminalitetit në vend dhe duke premtuar një rikthim të autoritetit të qeverisjes në mbarë vendin.

Me një ton të ngjashëm kritik u përgjigj edhe drejtuesja tjetër e kësaj partie Marine Le Pen, ndërsa po intervistohej në radion RTL.

“Nuk ka ndryshuar shumë… Të gjitha fushatat presidenciale i ka bërë duke thënë “Ose unë, ose kaosi”. Mendoj se francezët e kanë kuptuar se ai është kaosi”, tha zonja Le Pen.

Edhe drejtuesi i së majtës së skajshme Jean-Luc Melenchon iu kundërpërgjigj zotit Macron gjatë një interviste në kanalin France 2 TV.

“Për momentin, ai është personi që ka shkaktuar luftë civile… Zoti Macron, nuk do të thoja që duhet të heshtë, pasi nuk mund t’u them të tjerëve gjëra që nuk do të doja të m’i thonin mua, por ndoshta mund t’i thoja që le të provojë shijen e fjalëve të veta”, tha zoti Melenchon.

Një ndër aleatët e vendosur të presidentit Macron, ministri i brendshëm Gerald Darmanin tha se e kupton rrezikun që vjen nga dy kampet rivale politike, në veçanti nga e majta e skajshme.

“Mendoj se në platformat e disa kandidatëve, në veçanti në partinë Franca e Papërkulur, ka segmente domethënëse problematike për sigurinë; si p.sh. kur dëshirojnë të çarmatosin policinë dhe kjo sigurisht nuk krijon kushtet për paqe civile. Mendoj se shumë njerëz në Francë do të binin dakord me mua se partia Franca e Papërkulur është jashtëzakonisht e rrezikshme për shoqërinë dhe si e tillë duhet refuzuar. Mendoj se ekzistojnë gjithashtu premisat për trazira sociale shumë serioze për sa u përket pasojave ekonomike të programeve demagogjike që paraqesin”, tha ministri Darmanin.

Raundi i parë i votimeve në Francë do të bëhet të dielën, më 30 qershor dhe një raund i dytë është caktuar për datën 7 korrik./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Propozimet e refuzuara të presidentit francez

A ia imponon dot Evropës Macroni përfytyrimet e tij?