MENU
klinika

Analiza

Meloni, kameleoni që po luan me të gjithë në BE!

01.06.2024 - 15:59

Si kandidatja kryesore për partinë e saj, forca politike post-fashiste Fratelli d’Italia Meloni ka zgjedhur ta mbi-personalizojë fushatën e saj, duke shkuar aq larg sa t’u kërkojë bashkëqytetarëve të shkruajnë vetëm emrin e saj të parë në fletën e votimit.

Premtimi i Giorgia Melonit për votuesit e saj, gjendet tek 3 fjalët e sloganit të fushatës së saj për zgjedhjet evropiane të 8-9 qershorit:“Italia ndryshon Evropën!”. Dhe Italia është ajo vetë. Si kandidatja kryesore për partinë e saj, forca politike post-fashiste Fratelli d’Italia Meloni ka zgjedhur ta mbi-personalizojë fushatën e saj, duke shkuar aq larg sa t’u kërkojë bashkëqytetarëve të shkruajnë vetëm emrin e saj të parë në fletën e votimit.

Kjo për një arsye shumë të fortë:Meloni luan shumë gjëra në këto zgjedhje, testi i parë  elektoral për të që nga fitorja e saj në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2022. Gjithçka ka të bëjë me arritjen e një rezultati po aq të mirë, sa ai që e solli në pushtet, dhe me rikonfirmimin e dominimit të saj mbi partnerët e koalicionit, Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Antonio Tajanit.

Por përmes këtyre zgjedhjeve Meloni shpreson të forcojë pozicionin e saj edhe në Evropë. Ajo dëshiron ta konsolidojë vendin e saj në tryezën e Këshillit Evropian, që bën bashkë 27 krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, ndërsa i jep vetes një pozicion qendror në Strasburg, që mund të prishë ose ndërtojë shumicën në Parlamentin Evropian.

Pra ajo shpreson të nxitë nga brenda një “ndryshim identiteti” në Evropë, sikurse edhe e shpalli në tubimin partisë spanjolle të ekstremit të djathtë Vox më 19 maj në Madrid, ku ndërhyri me një video-fjalim. Që nga marrja e detyrës si kryeministre në tetor 2022, Meloni është përpjekur të bindë homologët e saj evropianë, se ajo ka vendin që i takon pranë tyre,

se Italia e partisë së saj e meriton vëmendjen e tyre, dhe se ajo është plotësisht pjesë e koncertit të kombeve evropiane.

Ajo dëshiron të konfirmohet si një bashkëbiseduese e besueshme dhe e respektuar. “Meloni dëshiron të afirmohet si një udhëheqëse e të djathtës klasike”-tha një zyrtar i lartë evropian. Dhe nuk ka rëndësi që në Itali, për çështje që janë jashtë kompetencës së BE-së, Meloni merr vendime ultra-konservatore, siç ishte ai për të mbështetur praninë e protestuesve kundër abortit në spitale për t’i dekurajuar gratë të abortojnë.

Në Bruksel, italiania dëshiron të jetë një figurë me reputacion. Dhe duket se po funksionon: Më 23 maj, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dha një shenjë miratimi, duke siguruar se Meloni “është qartësisht pro-evropiane”. Kur mori frenat e vendit të saj në tetor 2022, e kaluara e Melonit nuk ishte dhe aq e mirë sa për të marrë lavde publike më pak se 2 vjet më vonë.

“Le ta shkatërrojmë BE-në në formën aktuale!”- tha ajo në vitin 2019 në Konferencën e Veprimit Politik Konservator në Shtetet e Bashkuara, në të cilën ishte ftuar. Ajo nuk e fshehu se ishte pro-Trump. Sipas Melonit të atyre kohëve, BE-ja ishte një “komitet i peshkaqenëve të huave”, se euro ishte një formë skllavërie, dhe se Vladimir Putin një mbrojtës i vlerave tradicionale.

Madje në vitin 2018, kur ishte ende në opozitë, paraqiti një projektligj për t’ia nënshtruar ligjeve kombëtare rregulloret evropiane. Në vitin 2015, ajo deklaroi se kriza e emigrantëve ishte rezultat i një plani nga “nivelet e larta të botës së financës” për të zëvendësuar etnikisht evropianët.

Evropianët ishin të shqetësuar kur Meloni pasoi Mario Draghin në krye të Italisë, dhe kjo ndodhi disa muaj pasi Rusia kishte nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Ata i druheshin më të keqes,pra që mbështetja e Romës për Kievin nuk do të ishte më e qëndrueshme, se ajo do të distancohej nga politikat ekonomike e paraardhësit të saj.

Gjithsesi, shpresonin se do të mbizotëronte pragmatizmi. Sepse tek e fundit, Italia mbetet e varur nga fondet e BE-së. E mbytur në borxhe, ajo është në mëshirën e ndryshimit të tregjeve, dhe nëse dëshiron të marrë mbështetjen e madhe të planit evropian të rimëkëmbjes pas Covid-19, duhet t’i përshtatet rrethanave, ose kështu e qetësuan veten evropianët nervozë.

Për fat të mirë, edhe para zgjedhjes së saj, Meloni u dërgoi atyre sinjale pragmatizmi, duke e denoncuar pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Ndërkohë Draghi po përgatitej për një tranzicion, që e dinte se mund të rezultonte fatal për vendin e tij. Ish-guvernatori i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe kryeministrja e ardhshme bisedonin shpesh, dhe duket se kryetarja e Fratelli d’Italia, ishte pajtuar me rregullat e ashpra të Brukselit mbi menaxhimin e buxhetit të shtetit.

Një gjë ishte e sigurt:ajo e kishte kuptuar se Draghi mund ta ndihmonte të fitonte legjitimitetin që e ëndërronte. Ndaj Meloni u kujdes të formonte një qeveri të aftë për të qetësuar partnerët e saj evropianë. Ajo zgjodhi si Ministër të Jashtëm ish-kreun e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani të Forza Italia.

Ndërkohë emëroi Giancarlo Giorgetti, një anëtar i moderuar i Lega-s dhe ministër në kabinetin e Draghit, si Ministrin e saj të Financave. Po ashtu, udhëtimi i saj i parë zyrtar ishte në Bruksel, ku mbajti një fjalim që përsëriti fjalë për fjalë atë që kishte thënë Draghi në mbledhjen e fundit të Këshillit.

Por në muajt që pasuan, ajo nuk iu kthye reformave të nisura nga paraardhësi i saj. “Ajo dëshiron të jetë pjesë e klubit”- thotë një diplomat evropian. Kur është e nevojshme, i mban premtimet. Pasi ia ktheu shpinën Kremlinit, ajo njoftoi vitin e kaluar se do të largohej nga Nisma Kineze e Brezit dhe Rrugës, gjë që ndodhi në dhjetor 2023.

Kjo lëvizje e kënaqi shumë Joe Biden, dhe pavarësisht lidhjeve të saj më të ngushta me Donald Trump, ai e mirëpriti dy herë në Shtëpinë e Bardhë, në korrik 2023 dhe mars 2024. Të jesh pjesë e klubit evropian, do të thotë gjithashtu të mos hysh në një përplasje, siç po bën kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili është i aftë të shantazhojë falë të drejtës së vetos. Meloni e di mirë këtë, dhe në asnjë moment nuk anon nga Budapesti. Por përfiton nga miqësia e saj e gjatë me liderin hungarezin, për të vepruar si ndërmjetëse, si në rastin e zhbllokimit të ndihmës prej 50 miliardë eurosh për Kievin.

“Të gjithë menduan se një fashiste e rrezikshme ishte ngjitur në krye të Italisë. Më pas e kuptuan se Meloni është një konservatore e logjikshme, e aftë për të bashkëpunuar”-thotë Nicola Procaçini, kreu i delegacionit të Fratelli d’Italia në Parlamenti Evropian. Dhe Ursula Von Der Leyen po e ndihmon shumë.

Kur presidentja e KE e çoi Melonin në Tuniz në korrik 2023, dhe në Kajro në mars të këtij vitit për të nënshkruar marrëveshjet e partneritetit, ajo “i dha asaj një staturë evropiane”, shprehet një diplomat evropian, për të cilin kjo strategji mund të jetë “kundërproduktive”. Sepse sado e këndshme që mund të duket, Meloni nuk është aq e qartë për bindjet e saj në lidhje me Evropën. Në Parlamentin Evropian, deputetët e saj nuk luajnë gjithmonë me të njëjtat rregulla.

Kur ajo mbështeti reformën e Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, i cili rregullon financat publike të 27 vendeve anëtare, përfaqësuesit e Fratelli d’Italia në Strasburg abstenuan. Edhe sa i përket Paktit për Migracionin dhe Azilin, eurodeputetët e Fratelli d’Italia nuk e mbështetën atë në tërësi.

“Giorgia Meloni po bën një lojë të dyfishtë. Nga njëra anë në Këshill, ajo paraqitet si një partnere e respektuar. Ndërkohë në Strasburg, deputetët e saj dërgojnë një mesazh tjetër”- thotë Valérie Hayer, kandidatja kryesore për koalicionin e Macron në zgjedhjet evropiane. Edhe pse Marine Le Pen po i bën thirrje që të bashkojë forcat, ajo nuk po reagon. “Meloni është një kameleon. Por jam i sigurt që ajo ka disa muaj që po negocion me Le Pen. Sepse  dëshiron të krijojë marrëdhënie të mira me gruan që në vitin 2027 mund të jetë presidentja e ardhshme e Francës. Meloni është më dinakja nga krerët e shteteve dhe qeverive evropiane”- thotë zyrtari i lartë evropian.