MENU
klinika

Nga Artan Fuga

Mendja top… futbolli!

17.06.2024 - 11:54

Në verën e vitit 1990, verë e nxehtë në të gjitha kuptimet, shqiptarët ishin të apasionuar pas kampionatit evropian të asaj kohe dhe pas cdo goli të skuadrës së zemrës, Tirana ushtonte nga goool, urra të fuqishme. Kjo tregonte se ata prej kohësh e kishin thyer izolimin dhe ishin integruar me anë të futbollit në Evropë.

Ndërkaq, të rinjtë e Tiranës dhe të qendrave të mëdha urbane fiks në ato ditë përgatiteshin të thyenin kufirin e hekurt dhe të hynin në oborret e ambasadave duke i dhënë një grush izolimit të Shqipërisë.

Ishin ditë të nxehta në sport dhe në politikë. Njëherësh sport dhe politikë.

Nuk ndahej dot ku mbaronte futbolli dhe ku niste politika!

Keqardhje e madhe sot kur mendja është bërë top futbolli. Kur dëgjon se deputetët tanë kanë mbyllur punimet e Kuvendit për shkak të futbollit, një pjesë nuk dihet se ku janë, kur dëgjon politikanë që bëjnë tifozin, duke e zëvendësuar politikën me futbollin dhe më keq duke e marrë futbollin sikur të ishte politikë, duke e përdorur futbollin sikur të ishte një betejë politike, sikur të ishte një instrument propagande duke nxitur nacionalizmin e shtresave të caktuara të popullsisë, a thua se rezultati në futboll është ekuivalent me rezultatet tona ekonomike dhe politike, duke parë se ka politikanë që i lejojnë vetes të braktisin misionit e tyre dhe të bredhin stadiumeve – të vjen keq!

Të vjen keq edhe duke u krahasuar sikurse thashë, edhe me verën madhështore të vitit 1990.

E them këtë sepse Evropa e sotme është përfshirë në procese që nga klasa politike dhe nga qytetarët kërkohet një reflektim shumë i thellë për impaktin ndaj vendit tonë, sigurisë sonë kombëtare, fateve të shqiptarëve, progresit shoqëror te ne.

Ku kemi ne luksin që për një muaj rresht, duke iu përgjigjur thirrjes së Federatës të futbollit, të gjithë të bëjmë pushime deri në 14 korrik!!!

Eshtë koha për të menduar me prioritet për rrisqet dhe oportunitetet që krijon bota dhe Evropa e sotme, aktuale, në zhvillimet e reja të saj. Kush mendon? Mendon komisioni i sigurisë? Mendon Kuvendi? Mendojnë institutet inekzistente gjoja shkencore? Mendojnë studimet e thelluara në gjeopolitikë dhe strategji ndërkombëtare? Të gjitha flenë. Kurse këtë muaj koka top futbolli, ose koka top-me-këmbë!

Cfarë rrisqesh iminente për Shqipërinë? Ka plot, duhen menduar variante, por edhe media merret vetëm se kush hyri dhe kush doli te dyert e SPAKU-t, kush mori dhe kush e la vulën, kush mori tenderin dhe kush vodhi paratë e buxhetit! Shumë mirë bën! Po, përse vetëm kaq është roli, të humbasë në ngjarjet e ditës?

Kush mendon përshembull cfarë do të ndodhte sikur me qindra mijë emigrantë shqiptarë të ktheheshin brenda disa muajve në vendin e tyre? Ja dalim dot? Kush mendon që Evropa të mos jetë gati, sikurse nuk do të jetë, as në vitin 2050 të na pranojë? Kush mendon se nëse rasti na e sjell të kontribuojmë thelbësisht në sigurinë tonë në Ballkan, a ja dalim dot? Kush mendon se nëse fondet evropiane ose investimet e huaja zbresin deri në minimum, çfarë mund të bëjmë ne? Kush mendon për popullimin e territorit të boshatisur dhe që degradon cdo ditë si shtëpia pa banorë?

Ik ore na lër rehat! Futbolli është matësi i suksesve tona! Ne do të fitojmë kampionatin evropian, tjetrin do ta organizojmë ne me Serbinë, dora – dorës lidhur! Të parët pra jemi gjithandej!

Koka top futbolli!

Ndeshjet e kampionatit evropian të futbollit janë një bukuri e pashoqe. Unë i shijoj si të gjithë. Por, i shijoj njësoj si ata djelmosha dhe vasha shqiptare në verën e nxehtë 1990 : futboll dhe politikë! Jo si deputetët që lënë politikën, pra punën e tyre për futbollin!

Sot edhe futbollistët e mëdhenj evropian interesohen për futboll dhe politikë, kurse politikanë tanët lënë politikën për të shijuar në relaks futbollin!

Futbolli është një lojë e mrekullueshme. Ja vlen ta shijosh! Por, kur përdoret për propagandë, për reputacion, për nacionalizëm bëhet një ëndërr që ve në gjumë!

Dhe kur përpiqesh ta relativizosh, të thuash opinionin tënd, pikërisht për të shijuar ndeshjet me mendje të hapur, jashtë monokromatikës propagandistike që prodhon dehje masive, del ndonjë gazetar mediokër, i dorës së dytë a të tretë dhe të thotë: C’e ke këtë idiotësi o Profesor, nuk ishte penalti, por ndëryrje e rregullt!

Cfarë t’i bësh këtij idioti në profesion që nuk di të kuptojë misionin e tij, por dehet me avuj alkooli propagande, deh të tjerët, dhe sillet si tifoz nga ata që pasi pijnë në ndonjë mejhane bavareze shkojnë në stadium pa qenë më në gjendje të dallojnë arbitrin nga lojtarët, këmbët nga duart, por sillen si ndonjë tifoz a qen që kapërcen gardhin, del në fushë dhe jep shfaqjen e rradhës për të zbavitur miletin!

Futboll, po, bukur, por pa braktisur mendjen, dhe pa e kthyer në top për sportin topkëmbë!