MENU
klinika

Analiza e DW: Pse u rikthyen tensionet këtë vit

“Mirëdita, dobar dan”, festivali i padëshiruar në Beograd!

29.06.2024 - 12:02

Në Beograd fillon festivali “Mirëdita, dobar dan”. Pse janë rikthyer tensionet këtë vit? Autoritetet serbe nuk e duan këtë festival. Po pse?

Ndonëse në vitin 2022, kur festivali “Mirëdita, dobar dan” kaloi i qetë në Beograd, tensionet që shpesh e shoqëronin këtë ngjarje dukeshin sikur u zhdukën në Serbi, vendimi i organizatorëve për përfshirjen e 28 qershorit në këtë festival, pra të ditës së “Vidovdanit”, ka acaruar autoritetet serbe.

Reaguan disa përfaqësues të lartë të qeverisë në Serbi, ndër të cilët Aleksandar Vulin, i cili tha se mbajtja e festivalit më 28 qershor është një “fyerje së cilës duhet t’i përgjigjet shteti i Serbisë”. Reagoi edhe kryetari i bashkisë së Beogradit Aleksandar Shapiç, i cili theksoi se qyteti e Beogradit nuk do të japë asnjë pëlqim për mbajtjen e këtij festivali.

Për ministren në qeverinë e Serbisë, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, është e papranueshme që të mbahet një tubim në Vidovdan, i cili, sipas saj, përfaqëson regjimin e Albin Kurtit.

“Vidovdani nuk ka lidhje me këtë festival. Çfarë do të thotë kjo – se kur është Vidovdan, asgjë tjetër nuk mund të organizohet? Sigurisht që mundet”, thotë historiani Milovan Pisari.

“Problemi për autoritetet në Beograd, por edhe për autoritetet në Prishtinë, është se po organizohet dialogu mes serbëve dhe shqiptarëve. Vidovdani përdoret për të riaktualizuar narrativën nacionaliste, që i ndan njerëzit.” Deklaratat e politikanëve nuk kanë të bëjnë me festivalin dhe as me mesazhet që ai dërgon, të cilat janë mesazhe pajtimi dhe bashkëpunimi mes dy popujve”, thotë Pisari për DW.

Mos lejoni përvetësimin e “Vidovdanit”

Meqenëse ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq deklaroi, se do të ishte mirë që festivali të anulohej, organizatorët – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, iniciativat qytetare dhe organizata Integra nga Kosova – vendosën që të shtyjnë të gjitha ngjarjet publike të festivalit, të planifikuara për datën 28 qershor, për një ditë.

Bashkëpunëtorja e Institutit për Historinë e Re të Serbisë në Beograd, Olga Manojloviq Pintar, thekson se “qarqet më shkatërruese të krahut të djathtë” nuk duhet të lejohen të përvetësojnë Vidovdanin.

“Është një ditë që shënon edhe ngjarje si ekstradimi i Sllobodan Millosheviçit në Hagë, që sigurisht është një nga vendimet më të guximshme dhe më të rëndësishme politike të marra në shekullin e 21-të. Pra, ky festival, në vetë Vidovdan, duhet të ketë një simbolikë të qartë se Vidovdani është i të gjithëve dhe se jeta e njerëzve në Kosovë duhet të harmonizohet dhe të udhëhiqet nga vlerësimi dhe respekti reciprok”, thotë Manojloviq Pintar.

Ajo beson se është mirë që festivali është caktuar për periudhën prej 27 deri më 29 qershor. “Shpjegimi i ministrit ishte i pritshëm dhe i koordinuar, pra i inskenuar së bashku me deklaratat e kryetarit të bashkisë së Beogradit dhe ministrit të Brendshëm”, beson Olga Manojloviç Pintar.

Sulmet vetëm manipulim

Që nga ekzistenca e tij, festivali “Mirëdita, dobar dan” është shoqëruar pothuajse çdo vit me protesta të lëvizjeve dhe partive të djathta dhe konservatore në Beograd. Dy vite më parë, kur u mbajt për herë të fundit, kaloi i qetë dhe dukej se tensionet më në fund po qetësoheshin në Serbi për shkak se në festival ishin të ftuar artistë shqiptarë nga Kosova. Pse tani janë rikthyer tensionet?

“E gjithë historia është një bombë tymi pas së cilës fshihet një proces i vazhdueshëm dhe i pandalshëm i dorëzimit të institucioneve dhe aktiviteteve publike në veri të Kosovës tek autoritetet në Prishtinë. Parullat nacionaliste, deklaratat nxitëse, valëvitja e flamujve në fakt falsifikojnë faktet dhe shtrembërojnë realitetin”, thotë Olga Manojloviq Pintar.

Ajo shton se fakti që festivali i vitit 2022 kaloi pa problem, “dëshmon qartë se trazirat dhe protestat e së djathtës në rrugë janë gjithmonë të nxitura nga autoritetet dhe jo shpërthime spontane pakënaqësie”.

“Përhapja e urrejtjes ndaj të tjerëve dhe krijimi i një ndjenje të cenueshmërisë kolektive, e cila filloi me interpretime të përgjumura të Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, tani vetëm po nxehet për të vluar në gusht gjatë përkujtimit të Stuhisë (Oluja e Kroacisë…),” shprehet Manojloviç Pintar.

Milovan Pisari tërheq vëmendjen se me 26 qershor në Bruksel, pas një pauze të gjatë, janë rinovuar negociatat në nivelin më të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në të cilat kanë marrë pjesë Aleksandar Vuçiqdhe kryeminisrtri i Kosovës Albin Kurti.

“Të gjithë e dimë se tani në nivel ndërkombëtar ka një situatë të tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës. Kohëve të fundit në Kosovë po ndodhin disa gjëra, si për shembull, në lidhje me dinarin, me targat, me kartat eidentitetit… Elita politike në Serbi ka dashur ta shfrytëzojë këtë moment për t’u treguar votuesve dhe atyre që janë në anën e tyre se ende e mbrojnë Kosovën”.

“Por ky është një keqkuptim i madh”, thotë Pisari. “Pra, ka tensione, por ne e dimë që ka negociata në prapavijë. Ne e dimë se negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kanë vazhduar. E shihni se cili është thelbi i këtij nacionalizmi – ngadalë po shkojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk mund ta pranojnë publikisht dhe pastaj t’ia kalojnë ‘fajin’ festivalit, pra punëtorëve të kulturës, njerëzve të thjeshtë që duan të bashkëpunojnë”, vlerëson historiani.

Kultura sërish në hijen e politikës

Pothuajse të gjithë ata që sulmuan organizatorët e “Mirëdita, dobar dan”, janë të bindur se ky event nuk ka asnjë lidhje me kulturën. Mirëpo, në festival vijnë dhjetëra artistë, shkrimtarë, aktorë, muzikantë, fotografë dhe regjisorë, ndër ta edhe Jeton Neziraj, me veprën e të cilit do të hapet festivali në Beograd. E ftuara e festivalit është edhe Ermina Murati, e cila do të ketë një ekspozitë në Beograd.

“Artistët dhe ngjarjet kulturore po bëhen gjithnjë e më shumë shënjestër e sulmeve nga shumica në pushtet në Serbi, e cila më tej homogjenizoi dhe “thithi” kundërshtarët nacionalistë të festivalit, si Partia Radikale Serbe dhe Zavetnici. Në fund të fundit, aktori dhe shkrimtari Fegj Shutkan, i cili duhej të merrte pjesë në festivalin letrar rajonal KROKODIL, u dëbua nga Serbia për shkak se mori pjesë në protestat “Serbia kundër dhunës”, kujton për DW Marko Milosavljeviç nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut.

Ai shton se “në vizionin e botës serbe që ka për shembull Aleksandar Vulin”, nuk ka vend për kulturën e asnjë kombi që ai nuk e do, as të shqiptarëve të Kosovës dhe as për ndonjë zë kritik.

“Përkundër të gjitha sulmeve, në këtë festival presim një numër të madh të mysafirëve – sepse ai është krijuar dhe ekziston për shkak të kulturës”, thotë Milosavljeviç.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Provokojnë serbët: Kosova është zemra e Serbisë

Pse u anulua festivali “Mirëdita, dobar dan” në Beograd