MENU
klinika

Po hetohen konfliktet e fundit e konkurenca në biznes

Misteri i vdekjes së biznesmenit, Policia përjashton bombolën e oksigjenit!

26.06.2024 - 15:52

Familjarët i dhanë lamtumirën e fundit, Armandi Nelajt, biznesmenit sarandiot që vdiq në rrethana ende të paqarta teksa notonte dy netë më parë. Shpërthimi i fuqishëm tronditi qytetin mbrëmjen e së hënës ( (24 qershor 2024) në orën 22:00, kur të gjithë ishin të fokusuar tek ndeshja Shqipëri-Spanjë.

Viktima i veshur si polumbar ishte zhytur 100 metër larg portit te Sarandes. Policia fillimisht tha se ka shpërthyer bombola e oksigjenit, por këtë të mërkurë doli me njoftim të ri, ku bombola nuk përmend si shkak. Kjo pasi ka dyshime te forta se biznesmeni mund të jetë vrarë me tritol.

“Dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që notonte në det, pranë gomones së tij, shtetasi Armand Nelaj 52 vjeç, banues në Sarandë. Pritet akti i ekspertimit per arsyen e shperthimit. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Trupin e biznesmenit Armandi Nelaj e nxorrën nga deti dy turistë të huaj, që deri më tani mendohet se gjendeshin aty rastësisht. Ata kanë deklaruar në polici se po lëviznin me gomone drejt skafit të ankoruar në radë kur kane parë viktimën dhe e kanë transportuar deri në port. Viktimen e identifikoi i vëllai, i cili e ka njohur nga tatuazhi në qafë.

Familjarët, kanë deklaruar në polici se nuk kishin dijeni për konflikte dhe as nuk e dinin vendndodhjen e tij mbrëmjen e së hënës. Megjithëatë hetuesit kanë dyshime të forta se biznesmenit mund t’i jetë bërë anentat për shkak të konflikteve apo konkurencës në biznes.

Burime bëjnë me dije se grupi hetimor ka mbledhur disa pjesë metalike në vendin e shpërthimit, të cilat janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për t’u ekzaminuar, rezultatet e të cilit do të përcaktojnë në mënyrë të saktë çfarë lënde ishte, tritol apo bombol oksigjeni. Po kështu janë sekuestruar disa kamera sigurie në rrugët e qytetit afër portit per te pare levizjet e viktimes dhe atentatoreve.

Biznesmen prej 13 vitesh, Armandi Nelaj zotëronte kompaninë e mjeteve të ndërtimit “Grand Konstruksion” dhe nuk rezulton i skeduar apo dënuar më parë. Gjithsesi emri i tij është përmendur para 4 vitesh në një emision investigativ, ku thuhej se 52-vjecari ka tentuar të përfitojë pronë publike, lulishte, me dokumente false. Biznesmeni nuk arriti asokohe të merrte pronen e pretenduar, ndaj sot lulishja është prone e shtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ndryshon dinamika e ngjarjes/ Çfarë gjetën polumbarët

Shpërthimi në Sarandë/ Dyshohet për atentat me eksploziv