MENU
klinika

Italia përmbys me Bastonin e Barellan! Mbyllet pjesa e parë

Nedim Bajrami shënon supergol pas 23 sekondash dhe futet në historinë e Evropianit

15.06.2024 - 21:52

Sot nga ora 21:00 në Dortmund po luhet Itali – Shqipëri, ndeshja e vlefshme për Grupin B (atë të ferrit) të finaleve të Euro 2024. Gjithë vëmendja është në “Iduna Park”, me impiantin që besohet të ketë afro 50 mijë shqiptarë.

Komentet e rëndësishme:

45+3′ Mbyllet 2-1 pjesa e parë.

33′ Frattesi godet shtyllën për Italinë.

16′ Barella përmbys ndeshjen me një goditje nga jashtë zone, Italia shënon golin e dytë.

11′ Bastoni barazon rezultatin me kokë. Mbrojtësi përfiton nga krosimi i Pellegrinit.

1′ Nedim Bajrami kalon në avantazh kuqezinjtë pas vetëm 23 sekondash. Mesfushori është futur në historinë e Kampionateve Evropiane. Ky është goli më i shpejtë i shënuar në 17 turnetë e Evropianit.

1′ Nis ndeshja në Dortmund.

Pragndeshje/ Në Dortmund kanë nisur emocionet, me tifozët kuqezi që kanë “pushtuar” qytetin dhe janë më të zjarrtë se kurrë. Të kudondodhur për Kombëtaren, atmosfera prej ditës së djeshme ishte e zjarrtë nga kuqezinjtë, teksa e tillë ka vijuar edhe në stadium.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka publikuar formacionin zyrtar. Në portë do të jetë Strakosha, ndërsa në mbrojtje janë zgjedhur Hysaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Mitaj. Në mesfushë do të luajnë Asllani, Ramadani dhe Bajrami, ndërsa Seferi dhe Asani do të mbështesin Brojën në krye të sulmit. Edhe Luciano Spalletti është përgjigjur me skemën 4-3-3. Gjykon gjermani Felix Zwayer.

Statistikat/ Italia dhe Shqipëria do të përballen me njëra-tjetrën për të pestën herë në historinë e tyre. Në katër ndeshjet e mëparshme, të kaltrit kanë fituar gjithmonë. Përplasja direkte më e fundit është miqësorja e luajtur në “Air Albania” më 16 nëntor 2022.

Kombëtarja italiane fitoi 3-1 falë golave të Di Lorenzo dhe Griffo (dopietë). Goli i vetëm i Shqipërisë u realizua nga Ismajli. Në total, Italia ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 2 të tillë ndaj kuqezinjve. Veç Italisë, Shqipëria përballet edhe me Spanjën dhe Kroacinë në Grupin B të Euro 2024.

Formacionet zyrtare:

Itali (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Calafiori, Bastoni, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca Trajner: Spalletti.

Shqipëri (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja Trajner: Sylvinho.