Ksamili, është një nga destinacionet më të njohura në botë për Shqipërinë. Reklama falas e shtypit ndërkombëtar dhe disa pamje mahnitëse të plazheve të tij, kanë bërë xhiron e botës duke e pagëzuar si “Maldivet e Evropës”. Kjo ka bërë që fluksi i turizmit në Ksamil sivjet të nisë qysh në Mars.
Por problemi i mungesës së mjaftueshme të plazheve dhe industrisë së detit, kryesisht moleve për parkim varkash, ku Ksamili nuk ka asnjë të tillë, mbetet një sfidë për këtë fluks të jashtëzakonshëm turistik…
Dhe këtu duhen disa politika të guximshme qeveritare afatgjata dhe që krijojnë mundësi për një turizëm të qëndrueshëm.
Nëse i hedh një sy listës së plazheve të miratuara për Sarandën, janë rreth 50 plazhe të cilat janë gjithsej rreth 50 mijë metra katrorë. E krahasuar me Adriatikun, këto janë sa një e pesta e plazhit të Golemit, ndërkohë që dyndja është e madhe.
Bregdeti i Sarandës dhe Ksamilit përveçse është shkëmbor, është i rrezikshëm dhe gati vdekjeprurës nëse lejon turistët t’i afrohen në një det me dallgë.
Së pari Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Bregdetit, duhet të ndryshojnë konceptin për dhënie plazhesh me qira duke i ndarë ata në plazhe natyralë dhe artificialë.
Plazhe natyrale si ato të Borshit, Dhërmiut, Qeparoit apo disa gjireve në Sarande si dhe gjithë plazhet e Adriatikut, janë ofertë e gatshme dhe duhet të jepen me qira të shtrenjtë, pasi thjeshtë vendosin çadra në funksion të hoteleve.
Por pjesa tjetër në Sarandë dhe Ksamil, nuk janë plazhe. Janë hapësira të dhënë mbi shkëmbinj të egër, të rrezikshëm dhe humnera të cilat kanë nevojë për qindra mijëra euro të kthehen në plazhe.
Është paradoksale që ata që marrin këto plazhe për t’i investuar, së pari paguajnë formalisht më shumë se këta të Adriatikut që e kanë gati rërën dhe së dyti hyjnë në një garë pa kuptim me të tjerë, pas vitit të parë, pasi kanë investuar, gjë që shkakton dhe po shkakton ndonjëherë dhe rrezikim jete nga konflikte fizike.
Ministria duhet të ndryshojë qasje ndaj plazheve artificiale duke i konsideruar ato koncesion, që privati që investon t’i marrë në funksion të hoteleve që ka, dhe t’i ketë për një periudhë më afatgjatë, pasi ai nuk mund ti dorëzojë investimet e tij dikujt tjetër, për shkak të ndonjë historie korrupsioni apo teke zyrtarësh që bëjnë sikur zbatojnë ligjin.
Është tjetër gjë dikush që merr rërën gati në Golem, Shëngjin apo Velipojë dhe tjetër gjë dikush që harxhon 200 mijë euro të bëjë investime për të kthyer shkëmbijt në plazh.
Ato fotot mahnitëse të Ksamilit që bëjnë xhiron e botës nuk i ka bërë Zoti. Zoti aty ka bërë vetëm ujin e mirë. Më parë ato kanë qenë shkëmbinj, ose gjire kënetore dhe investimet private në vite i kanë mbushur me rërë dhe kanë krijuar atë foto që ne shikojmë sot.
Por dhe ato janë shumë pak në raport me nevojat.
Qeveria duhet të ndryshojë qasje për koncesionimin e plazheve artificiale vetëm në funksion të hoteleve, duke ja njohur investimin dhe duke i krijuar siguri juridike që ai ta gëzojë investimin e vet.
Ajo që ndodh tani është komplet pasiguri juridike për çdo investim. Kontratat përsëriten çdo vit, çdo vit ti aplikon për një bar në plazh, leja e të cilit të vjen -në Nëntor kur ka mbaruar sezoni dhe bashkë me të, gjatë gjithë verës ke nja dhjetë grupe IKMT që e dinë fare mirë që ke leje po se ke të zbardhur, të cilët më 16 nëntor urdhërojnë subjektin ta prishë prapë dhe ta kthejë në gjendje fillestare, se do jepet prap me qira. Pra më shpejt vjen urdhëri për prishje se sa leja.
Këto janë komplet xhepa ku hajdutët e administratës gjejnë mundësinë të shantazhojnë bizneset, thjesht për një politikë të paqartë të qeverisë rreth garancive juridike që duhet t’i japë investitorëve privat në plazhe dhe në molet detare.
Nëse sot Ksamili do të kishte disa mole për të parkuar varkat, do të shfryhej ndjeshëm trafiku Sarandë- Ksamil në rrugë tokësore, pasi turistët mund të preferonin anijet turistike për të shkuar deri aty, duke u shlodhur dhe duke shijuar detin.
Sot në Ksamil, nuk ke ku të parkosh as gomone përveç aventurave ilegale që mund të rrezikojnë jetë njerëzish. Fati i madh është që tregu i turizmit e ka rritur entuziazmin që këto investime t’i bëjë privati e jo shteti.
Shteti, thjesht duhet të bëjë letra, dhe të krijojë siguri për ata që janë të gatshëm të investojnë në hapje plazhesh të reja sipas standardeve që i dikton shteti dhe ndërtimin e moleve që janë e vetmja shpresë për industrinë e detit.
Po kaq rëndësi ka që në zona të tilla ku uzurpimi përmes legalizimeve zhduk çdo hapësirë publike, të stimulohet ndërtimi i pishinave nga çdo hotel për të zbutur nevojën për plazhet dhe për të krijuar më shumë mundësi argëtimi për turistet.
Ata që njohin historinë e zhvillimit të turizmit në Korfuz, e dinë mirë se stimulimi i pishinave në çdo shtëpi që jepej me qira e ktheu ishullin në atraksion ndërkombëtar turizmi pa qenë nevoja për dyndje drejt vijës së parë të detit.
Çdo leje hoteli është mirë të shoqërohet me leje pishine qoftë dhe nëse afër ka tokë publike ende të pa zaptuar.
Siç është sot ky kuadër ligjor je i supozuar që je kriminel, nëse ndërton një mol apo investon në një plazh a pishinë.
Kjo histori ka nevojë për një qasje të re, që tejkalon pritshmëritë e legjislacionit që është bërë, kur në Sarandë e Ksamil shkonin pushues vetëm në muajin gusht. Bëhet fjalë për një dyndje e cila nuk duhet të zhgënjehet nga 5 foto instagrami të “maldiveve” shqiptare.
Tregu i turizmit, është shumë herë më dinamik se qeveria. Në pamundësi që qeveria ta udhëheqë atë, së paku ta ndjekë pas.