MENU
klinika

Formacionet e finales së Champions League

Nis sfida/ Real Madrid dhe Dortmund kërkojnë suksesin

01.06.2024 - 21:07

Bota e futbollit mban frymën, teksa në Wembley, Dortmund dhe Real Madrid kërkojnë të fitojnë Champions League.

Finalja e madhe sapo ka nisur, dhe ajo luhet nën prezencën e 90 mijë tifozëve në Londër, teksa premton spektakël dhe emocione të mëdha gjate gjithe sfides.

Pak më parë janë publikuar edhe formacionet zyrtare. Si Anceloti, ashtu edhe Terzic kanë vendosur për titullarët, teksa nga minuta e parë luajnë më të mirët.

Me heret tekniku Edin Terzic ka zbuluar rreshtimin e “Verdhezinjve” të tij, ku në portë nuk ka sesi të mungojë Kobel. Në krahët e mbrojtjes janë Ian Maatsen e Ryerson, me qendrën që mbulohet nga Mats Hummels dhe Schlotterbeck. Më të tërhequr në mesfushë pozicionohen Emre Can e Sabitzer, ndërsa Julian Brandt, Jadon Sancho e Adeyemi vendosen pas “bomberit” Fullkrug.

Sa i përket Real Madrid, rreshtimi është ai i zakonshmi 4-3-1-2, ku në portë ashtu siç kishte premtuar tekniku italian është rikthyer Thibaut Courtois. Në krahët e mbrojtjes janë Carvajal e Ferlan Mendy, me qendrën që mbulohet nga Rudiger e kapiteni Nacho. Mesfusha me tre përbëhet nga Valverde, Camavinga e Toni Kroos, ndërsa në sulm janë tre “yjet”, Jude Bellingham, Rodrygo e Vinicius Junior.

Madrilenët synojnë trofeun e 15-të, ndërsa verdhezinjtë kanë arritur ta fitojnë vetëm një herë Champions League. Arbitër kryesor është caktuar slloveni Vincic.