MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Pasojat e “fushatës italiane” të Edi Ramës

03.06.2024 - 19:04

Report është një emision investigativ italian i nisur nga Rai 3 nga Milena Gabanelli. Emision që nisi dhe u ndërtua si një format televiziv që fliste për aferat jashtë politikës të protagonistëve të saj. Për shumë vite, Report ka arritur të krijojë një reputacion të dyfishtë për reportazhet e tij. Që është goditës i fortë, por me raste edhe goditës me regji. Kanë qenë mjaft nga politikanët italianë që kanë hedhur akuza mbi skenare të parapërgatitura që synonin t’i sulmonin.

Është folur shumë se drejtuesit e tij, si Gabanelli e më pas Sigfrido Ranucci, janë afër partisë “5 Yjet” të Beppe Grillos. Nuk është rastësi që ky emision në historikun e vet ka sulmuar shumë fort personazhet që lëvizja “5 Yje” i ka parë si armiq në rrugën e vet. Si Massimo D’Alema, Matteo Renzi, Vincenzo De Luca etj etj.

Gjithsesi, aventura shqiptare e Report, përkatësisht gazetarit më të rëndësishëm të saj Giorgio Mottola, nisi mjaft herët. Pas pushimeve në jugun shqiptar të kryeministres italiane Giorgia Meloni, ku u vunë bazat e marrëveshjes për emigrantët. Kur në Tiranë u zhvillua Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Ukrainën, Mottola pyeti Ramën në lidhje me paratë që duhet t’i paguante Fraçesco Beccettit.

Rama ju përgjigj fort, me një llojë besdie. E aty u pa që gjasat janë që pikërisht nga kjo histori do të nisë një tjetër kapitull i “Përbindshit të Kalivaçit”. Njeriut që në Tiranë ndërtoi një televizion gjigand po nuk ngeli asnjë gjurmë, jo nga ajo që i ndodhi, por se nuk prodhoi asnjëherë një lajm. Përveç lajmeve mbi drejtorët dhe vipat që thërriste për të drejtuar emisionet, që më pas u ankonin se nuk i ka paguar.

Francessco Beccetti, është një personazh që në Shqipëri ka një histori të vjetër por nuk se ka ndërtuar gjë. Hidrocentralin e Kalivaçit jo e jo, po as televizionin dy gjuhësh. Sot Beccetti është një person i dënuar me 17 vjet burg, madje edhe nëna e tij është e dënuar për pastrim parash.

E pikërisht ky personazh ishte thelbi i fabulës së Giorgio Mottola-s, që në fund të fundit është legjitime. Po prej ditës kur Report ka nisur përplasjen me Edi Ramën dhe qeverinë e tij, ky i fundit ja ka kthyer me të njëjtën monedhë, sa erdhëm në duelin e mbrëmshëm të kryeministrit shqiptar dhe gazetarit ancor të Report. Një duel, ku secili mund të zgjedhë kush fitoi dhe me kë të bëhet. Ku të dy palët ishin aktivë e shkëmbyen batuta pa fund.

Megjithatë, duhet thënë se ai duel ishte fundi i përplasjes së Edi Ramës me Report. Sepse nuk ka kohë më, po vijnë zgjedhjet europiane, ku sipas gjasave Marrëveshja e Gjadrit do të jetë një nga thelbet e votës së 6 qershorit. Aq më shumë se një ditë para gjashtës, kryeministrja italiane do të jetë në Gjadër.

Edi Rama është një personazh prej kohësh i politikës elektorale italiane. A e ka dashur Edi Rama këtë? Pasi në fund të fundit ai është një i urryer i së majtës italiane, sidomos 5 yjeve? Fakt është që Edi Rama ose një qeveri shqiptare ka mbështetjen më të fortë nga një qeveri në Romë, mbështetje që është jo thuajse por totalisht reciproke. Meloni e thotë një herë në dy ditë që Rama ka dashur të ndihmojë Italinë.

E Rama është prezent në mediat italiane, gati më shumë se shefja e opozitës italiane Elly Schlein, e cila është një mike e madhe e Shqipërisë. Dhe duhet thënë nuk është shprehur direkt për çështjen, por lobe partisë së saj kanë çuar edhe kërkesë për të përjashtuar PSSH nga Partia Socialiste Europiane.

Një akt, që është marrë nga Giorgia Meloni, e cila e ka konsideruar këtë akt politik një linçim. Sot Edi Rama është njeriu më i dashur ndër të djathtët e Italisë. Sidomos nga ata ekstremët që bëjnë edhe saluto romano. E konsiderojnë një shok të Giorgias së tyre. Por të majtët kanë qëndrime të ndryshme. Megjithatë në thelb duan ta bëjnë kurban, çka tentuan me Report. Në këtë rast Edi Rama doli përballë dhe pranoi duelin me programin e dashur të Beppe Grillos.

Sipas sondazheve, Partia e Giorgia Melonit do të jetë parti e parë në zgjedhjet europiane. Por sfida për të është që të mos ulet nën 23%. Ndërkaq nëse siç pritet ndodh që Meloni të marrë më shumë dhe aleatja e PS në Itali të bie nën 20%, Edi Ramën do ta kryqëzojnë fort.

Megjithatë, Edi Rama, ka dhe do të ketë edhe për ca vite një kryeministre në Itali që kurrë se ka pasur kaq të afërt. Po flasim për një nga 7 vendet më të industrializuara të botës. Që në përballje me Greqinë, kur aleat ka edhe Turqinë, është një zhvillim i rëndësishëm.

Por megjithatë, Rama do të ketë çarjen e vet me të majtën italiane. E cila nuk është kaq homogjene, pasi një pjesë e saj është filo ruse, filo kineze e madje edhe filo serbe. Një nga emrat e mëdhenj të kësaj të majte, gazetari Michele Santoro është një nga antishqiptarët më të mëdhenj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN