MENU
klinika

Zëri i Amerikës

Përpjekjet e Ankarasë për t’u afruar me Pekinin po shqetësojnë disidentët ujgurë

21.06.2024 - 11:06

Vizita e ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan në Kinë shënon përpjekjen e fundit të Ankarasë për të konsoliduar pozicionin e saj strategjik në kryqëzimin e rrugëve tregtare mes Evropës dhe Kinës. Por siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, analistët thonë se dyshimet e Pekinit për mbështetjen e disidentëve kinezë ujgurë nga Ankaraja, vazhdojnë të bëhen pengesë për këtë synim.

Ujgurët po ngrenë pyetje dhe disa madje po përgatiten edhe për pasoja të mundshme nga vizita e fundit e ministrit të Jashtëm turk Hakan Fidan në Kinë dhe Xinjiang, ku banojnë shumë ujgurë, mes të cilëve Seyit Tumturk, kreu i Asamblesë Kombëtare të Turkistanit Lindor.

“Qeveria kineze po përdor fjalët e tij [Fidanit], në përpjekje për të legjitimuar gjenocidin që bën, për të justifikuar masakrën që ka bërë, duke thënë se Hakan Fidan mbeti shumë, shumë i kënaqur me vizitën. Kjo është e papranueshme”.

Vizita e ministrit Fidan në Kinë u përqendrua tek tregtia dypalëshe dhe zhvillimi i rrugëve të reja tregtare, ndërsa ekonomia botërore gjen mënyra për të anashkaluar Rusinë e goditur nga sanksionet, thotë Cagdas Ungor e Universitetit të Marmarasë.

“Turqisë i duhet të rindërtojë këto lidhje në mënyrë që të ketë një rol qendror, duke ruajtur statusin e saj si urë mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ide është bërë tani edhe më popullore për shkak të sanksioneve ruse dhe evropianët janë po ashtu të interesuar për këto itinerare alternative. Mendoj se ka një hapësirë mundësish”, thotë ajo.

Ankaraja po kërkon mbështetjen e Pekinit për një rrugë tregtare të korridorit të mesëm që do të lidhë Kinën me Evropën nëpërmjet Azisë Qendrore dhe Turqisë.

Por Pekini është kritik ndaj Ankarasë lidhur me strehimin që i ofron pakicës kryesisht ujgure të Kinës. Në vitin 2009 kur ishte kryeministër, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e akuzoi Kinën për kryerjen e krimeve që i afroheshin gjenocidit.

Por Prof. Ungor thotë se ministri i jashtëm Fidan përdori gjuhë më të zbutur për këtë çështje gjatë vizitës së tij në Kinë dhe në Xinjiang.

“Kinezët mbetën të kënaqur. Mediat zyrtare kineze theksuan në thelb faktin se Turqia po e mbështet politikën e një Kine. Turqia respekton integritetin territorial të Kinës. Madje në vizitën e tij në Xinjiang, Hakan Fidani theksoi për shembull zhvillimin ekonomik të Xinjiang-it, harmoninë sociale, respektimin e të drejtave kulturore etj”, thotë ajo.

Pekini po bën lobim për miratimin e një ligji që pret prej vitesh ratifikimin nga parlamenti turk që do të lejonte ekstradimin e ujgurëve të kërkuar nga autoritetet kineze. Analistët thonë se miratimi do të ndihmonte në kapërcimin e hezitimit të Pekinit për të bashkëpunuar me Ankaranë, thotë ekspertja për Kinën, Ceren Ergenc.

“Turqia paraqet pasiguri për Kinën. Diaspora ujgure është shumë e fortë në Turqi për sa i përket bazës së votuesve të partive konservatore….Pra, kjo krijon gjithashtu një mjedis investimi të rrezikshëm për Kinën. Turqia aktualisht klasifikohet zyrtarisht si një vend me rrezikshmëri të lartë për investime për kompanitë kineze”, thotë ajo.

Analistët paralajmërojnë se çdo veprim i Ankarasë kundër ujgurëve do të jetë i rrezikshëm duke pasur parasysh mbështetjen e fortë publike në Turqi për ujgurët. Por në të njëjtën kohë, thonë ata, Ankaraja është e vendosur të arrijë objektivin e saj për t’u vendosur në qendër të rrugëve tregtare midis Kinës dhe Evropës.

VOA