MENU
klinika

Vizita e parë pas 24 vitesh

Pse po shkon Putin në Korenë e Veriut

18.06.2024 - 08:54

Presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë Phenianin më 18-19 qershor për t’u takuar me liderin verikorean, Kim Jong Un.

Putin e ka vizituar për herë të fundit këtë vend në vitin 2000.

Historiku i marrëdhënieve mes dy vendeve

Teksa Perëndimi vazhdon të izolojë Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, analistët kanë vërejtur që Koreja e Veriut është bërë secilën herë e më e vlefshme për Moskën.

Nga këndvështrimi i Koresë së Veriut, marrëdhëniet me Rusinë nuk kanë qenë gjithmonë aq të ngrohta sikurse në epokën e Bashkimit Sovjetik, mirëpo ky shtet e ka nuhatur mirë nevojën e Moskës për më shumë miq.

Koreja e Veriut, vend komunist, është krijuar në fillim të Luftës së Ftohtë, me përkrahje të Bashkimit Sovjetik.

Koreja e Veriut ka luftuar me Korenë e Jugut në periudhën 1950-1953, me ndihmë të konsiderueshme të Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

Koreja e Veriut është varur me dekada prej ndihmës sovjetike dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitet ’90 ka kontribuuar në rritje të shkallës së urisë në Korenë e Veriut.

Kim, i cili ka ardhur në pushtet më 2011, ka pasur në fillim marrëdhënie të ftohta me Rusinë dhe Kinën, kur të dyja vendet u janë bashkuar Shteteve të Bashkuara për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut për kryerje të testimeve bërthamore.
Rusia i është bashkuar Kinës në thirrjet kundër sanksioneve të reja ndaj Koresë së Veriut, duke bllokuar kështu nismën e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në mars, Rusia e ka bllokuar edhe vazhdimin e monitorimit të programit verikorean prej një ekipi ekspertësh të OKB-së, të cilët analizojnë nëse Pheniani po vepron në kundërshtim me sanksionet.

Angazhimi mes Rusisë dhe Koresë së Veriut

Pas testimit të fundit bërthamor më 2017, Kimi ka marrë hapa për të përmirësuar lidhjet me Rusinë dhe e ka takuar Putinin për herë të parë më 2019, në qytetin rus, Vlladivostok.

Në shtator të vitit të kaluar, Putin e ka mirëpritur Kimin në hapësirën Vostoçni në Lindje të Largët të Rusisë dhe është zotuar se do t’i ndihmojë Koresë së Veriut që të ndërtojë satelitë, dhe që dy vendet do të shtrijnë bashkëpunimin në shumë fusha.

Duke përmendur rëndësinë e thellimit të lidhjeve, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, e ka vizituar Phenianin në korrik të vitit 2023 dhe ka marrë pjesë në një paradë ushtarake, në të cilën janë prezantuar edhe raketat e ndaluara balistike.

Prej kur Kim dhe Putin janë takuar vitin e kaluar, është vërejtur një thellim bashkëpunimi dhe vizita më të shpeshta të delegacioneve të specializuara në shumë fusha: bujqësi, kulturë, e deri te ato që merren me kopshte zoologjike.

Si ka ndikuar lufta në Ukrainë në marrëdhëniet mes dy vendeve?

Koreja e Veriut i ka ofruar mbështetje publike Moskës për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Ky ka qenë një ndër vendet e pakta që njeh pavarësinë e territoreve ukrainase që Rusia i konsideron të vetat, dhe që shpreh mbështetje të hapur për aneksimin e disa pjesëve të Ukrainës nga ana e Moskës.

Shtetet e Bashkuara, dhe disa vende tjera, e kanë akuzuar Korenë e Veriut për transferim të armëve në Rusi, që ajo më pas t’i përdorë në Ukrainë.

Një raketë e nisur në qytetin ukrainas të Harkivit, më 2 janar të këtij viti, ka qenë raketë verikoreane, Hwasong-11, e nisur prej territorit rus, sipas një ekipi monitoruesish të OKB-së.

Si Moska, ashtu edhe Pheniani i kanë hedhur poshtë akuzat, mirëpo janë zotuar se do të thellojnë lidhjet ushtarake.
Shoigu u ka thënë mediave ruse vitin e kaluar se Moska është duke diskutuar mundësinë e mbajtjes së një parade të përbashkët ushtarake me Korenë e Veriut.

“Pse jo, ata janë fqinjët tanë. Është një fjalë e urtë ruse që thotë se fqinjët nuk i zgjedh dot dhe është më mirë të jetosh me fqinjët në paqe dhe harmoni”, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar ministrin rus.

Lidhjet ekonomike

Më 2022, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë rikthyer udhëtimet me trena, për herë të parë prej ndërprerjes së tyre si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në tren ka qenë një ngarkesë e pazakonshme: 30 kuaj të racës së pastër.

Nuk ka kaluar shumë kohë dhe Rusia i ka rikthyer eksportet e naftës në Korenë e Veriut, për herë të parë qysh prej vitit 2020.

Verikoreanët bëjnë më së shumti tregti me Kinën, mirëpo Rusia është partnere potencialisht e rëndësishme, kanë thënë ekspertët.

Moska e ka mohuar se ka shkelur sanksionet e OKB-së kur ka eksportuar naftë në Phenian.

Zyrtarët rusë kanë diskutuar hapur mundësinë e punësimit të 20.000 deri në 50.000 punëtorëve verikoreanë, pavarësisht se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndalojnë praktika të tilla.

Zyrtarët rusë dhe liderët e rajoneve të pushtuara në Ukrainë kanë diskutuar edhe mundësinë e punësimit të punëtorëve verikoreanë, për të ndihmuar në rindërtim të pjesëve të shkatërruara prej luftës./REL