Raketat amerikane Javelin pritet të mbërrijnë shumë shpejt në Kosovë, e pohuar kjo nga ministri i mbrojtjes atje, Ejup Maqedonci.
Ministri sqaroi se tashmë janë kthyer pagesat sipas planit dhe sistemet e konsideruara tejet efikase, do të jenë brenda pak kohësh në inventarin e FSK-së. Me tej, theksoi po ashtu se Kosova tashmë zotëron sistemin e raketave turke “OMTAS”.
Sipas tij, vendi ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në drejtimin e përgatitjes për të qenë e pjesë e aleancës së Atlatikut Verior, dhe e përshkroi anëtarësimin në NATO si nevojë urgjente për sigurinë e Kosovës.
Ministri shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të qenë pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë. Ai theksoi se në të gjithë organizimin e saj, FSK-ja strukturën e ka të hartuar në atë format që të jetë e mundur ndërveprueshmëria më vendet e NATO-s.
Nivelin taktik, doktrinën tonë ushtarake dhe të gjitha dokumentet, ne i kemi të sinkronizuara me ato të anetareve te NATO-s, sqaroi ai, duke nënvizuar se kjo i jep mundësi FSK-së që gjatë operacioneve të përbashkëta, të ketë mundësi ndërveprimi me ushtritë e shteteve të aleancës.
Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin.
Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.
Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.