Zgjedhjet e parakohshme në Angli dhe kampionati europian i futbollit që do mbahet në Gjermani ishin dy arsyet që e detyruan kryeministrin Edi Rama të shtynte takimet me emigrantët në Londër dhe Dusseldorf.
Kryeministri u shpreh në mbledhjen online të Asamblesë së PS se këto takime do të realizohen në një moment të dytë, duke perënduar muajin shtator.
Po ashtu ai tha se po përgatiten edhe për një takim me emigrantët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kemi zhvilluar dy takimet e para të turit të dakordësuar për të takuar shqiptarët e Evropës dhe jo vetëm. Në Greqi dhe Itali takimi nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetëvete, as thjesht një takim pa vazhdim, por ka qenë edhe një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës përtej mureve të sallës, ku ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar tërësisht rrjetin e anëtarësisë dhe simpatizantëve të PS.
Turi do të vijojë në shtator, duke qenë se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar më parë. Dhe me të drejtë, sepse në një situatë zgjedhore është normale që edhe ne të shmangnim një takim që pavarësisht se nuk është takim partiak, sidoqoftë është një takim politik. Po kështu, duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër të Dusseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e skuadrës sonë kombëtare, nuk do donim që të krijohej një ide e përzierjes së dy gjërave, edhe pse takimi ishte i organizuar pavarësisht kësaj. Në shtator do rimarrim turin dhe do zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ndërsa do përgatitemi edhe për një takim në SHBA”, u shpreh ai.