MENU
klinika

“Biden do gjak të derdhur në Europë”

Rusia: NATO po bëhet gati për luftë të drejtpërdrejtë

14.06.2024 - 14:06

“Të gjitha veprimet e NATO-s sot janë një parapërgatitje për një përplasje të mundshme me Rusinë”. Këtë frikë e pohon zëvendësministri i jashtëm rus, Aleksandër Grushko, duke folur për mediat në Moskë. Ai shton se “roli i armëve bërthamore në planifikimet ushtarake të aleancës perëndimore është në rritje dhe flitet për vendosjen e tyre në Poloni dhe vende të tjera europiane”.

Kurse zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzon presidentin amerikan, Joe Biden, se po kërkon të zgjasë luftën dhe të derdh edhe më shumë gjak në Europë për të qëndruar në pushtet. “Vendet e Bashkimit Europian duhet ta kuptojnë se Uashingtoni po i fut në një luftë të drejtëpërdrejtë me Rusinë nën flamurin e NATO-s”, pretendon zëdhënësja.

Kundërpërgjigja erdhi direkt nga sekretari i përgjithshëm i aleancës së fuqishme, duke folur për reagim ndaj një “lufte” spiunazhi dhe kibernetike që po kryhet nga agjentët rusë.

“Ne kemi parë disa shembuj të sabotazhit, të tentativave për zjarrvënie, të sulmeve kibernetike dhe të dezinformimit. Ne do të punojmë gjithashtu në opsionet e reagimit të NATO-s, të cilat pres që të përfshijnë rritjen e ndërgjegjësimit, shkëmbimin e informacionit, inteligjencën, rritjen e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, duke përfshirë infrastrukturën nënujore dhe kibernetike. Gjithashtu do të forcojnë kufizimet ndaj personelit të inteligjencës ruse në të gjithë aleancën”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

Në këshillin NATO-Ukrainë të mbajtur në Bruksel, u fol dhe për nevojën e dërgimit në mënyrë urgjente të armëve të reja dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Kievi e konsideron jetike mundësinë për mbrojtjen e qiellit të saj, pasi konsiderohet pika e dobët në përballjen me Rusinë.