Shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e së hënës 100 metra larg Portit Detar Sarandë, ndryshon rrjedha e informacionit.
Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga eksplozivi, sipas news 24. Mësohet se polumbarët kanë gjetur mëngjesin e sotëm në thellësinë e detit, pranë vendit të ngjarjes copa metalike të cilat dyshohet se i përkasin mjetit lundrues në të cilin dyshohet se ndodhej viktima.
Por sipas burimeve jozyrtare ende nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.
Dyshimet lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqjen e ujit, por edhe forca e saj, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se ndoshta ka pasur një shpërthim eksplozivi.
Nuk dihet cili ka qenë objektivi, por ngjarja bëhet dyshuese për kohën e kryerjes, pikërisht në orën 22.00 kur gjithë vëmendja ka qenë në përballjen Shqipëri Spanjë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se viktima është parë nga dy të huaj të cilët po lundronin me një gomone të vogël drejt jahtit të tyre të ankoruar në radë. Ata e kanë pyetur nëse kishte problem me dicka por ai i është përgjigjur “Jo”. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar shpërthimi i cili është shoqëruar me zjarr dhe tym por dhe me zhurrmë, që ka tronditur gjithë qytetin.
Edhe pse viktima ende nuk është identifikuar, burime të besueshme bëjnë me dije se ai është shtetas shqiptar dhe jo i huaj, siç u dyshua në fillim.
Gjithsesi mësohet se gjatë gjithë ditës policia ka hetuar intensivisht dhe pritet të bëhet zyrtar identifikimi i trupit të pajetë të polumbarit.