MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si ndikojnë temperaturat e larta tek të sëmurët kronikë?

21.06.2024 - 09:20

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si ndikojnë temperaturat e larta tek të sëmurët kronikë?

Mjeku: Temperaturat e larta dhe i nxehti gjatë stinës së verës mund të shikohen si një lehtësim nga dimri i ftohtë por kur ato arrijnë vlera të larta mund të përbëjnë një rrezik për shëndetin e popullatës.Grupet të cilat janë më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë:
• Të moshuarit
• Foshnjat dhe fëmijët e vegjël
• Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si:
– Sëmundjet kardiovaskulare
– Diabeti, thyreotoksikoza
– Sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK
– Sëmundje e mendore
– Sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, etj
• Gratë shtatzëna

Si ndikojnë temperaturat e larta tek të sëmurët kronikë?

Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndaje nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.
Gjendja shëndetësore e individëve që vuajnë nga sëmundjet kronike rëndohet si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta:
Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale. Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave të cilat mund të shkaktojnë çrregullime të ritmit të zemrës. Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.
Tek të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.
Tek individët me SPOK, astmë dhe bronkit kronik rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperatures së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit dhe të dispense këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë, dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes.
Gjithashtu përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë. P.sh medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperatureën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për tu djersitur. Gjithashtu edhe betabllokuesit që merren për të kontrolluar HTA ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.