MENU
klinika

“Biden ngatërron shumë fjalët, Trump është gënjeshtar”

Si reaguan amerikanët pas debatit të parë presidencial

28.06.2024 - 18:50

Të enjten në mbrëmje, Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump, kandidatët e pritshëm të Partisë Demokrate dhe të Partisë Republikane për President, u përballën në debatin e parë të fushatës për zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar bisedoi me disa votues dhe sjell reagimet e tyre ndaj debatit.

Në të gjitha qytetet amerikane, nga Nju Jorku në Los Anxhelos, nga Miçigani në Las Vegas, përfshirë edhe pasagjerët e një fluturimi nga Mineapolisi për në Majami; miliona amerikanë ndoqën debatin e parë të kësaj fushate zgjedhore midis Presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.

Në mesin e grupeve pro ish Presidentit Trump, votuesit sugjeruan se paraqitja e Presidentit Biden tregon se ai nuk është i përshtatshëm për t’u rizgjedhur President.

“Unë nuk dua të tregojë mungesë respekti për të moshuarit, por zoti Biden ngatërron shumë fjalët. Nuk mendoj se ai është i përshtatshëm për të qenë udhëheqës”, thotë për Zërin e Amerikës Armani Torres, mbështetës i zotit Trump në Nju Jork.

“Unë mendoj se është vërtet e vështirë për çdo qenie njerëzore ta shikojë këtë debat dhe të thotë se zoti Biden është i përshtatshëm për të qenë presidenti ynë”, thotë për Zërin e Amerikës Rosanne Ponkowski, mbështetëse e zotit Trump nga Miçigani.

“Unë mendoj se Donald Trumpi ia doli mirë. Ai e ruajti gjakftohtësinë ”, thotë për Zërin e Amerikës Sandra Bastian, mbështetëse e ish Presidentit Trump nga Kalifornia.

“Ai po përmbahej mjaft. Do të doja që ta kishte sulmuar më shumë (Presidentin Biden). Por e kuptoj që duhet duhet të jetë i sjellshëm”, thotë për Zërin e Amerikës Jerry Piani, mbështetës i zotit Trump nga Kalifornia.

Vëzhguesit e tjerë të debatit ishin të zhgënjyer që kandidatët nuk iu përgjigjën drejtpërdrejt disa pyetjeve, duke përfshirë atë për zotimin e zotit Trump për të dëbuar miliona emigrantë pa dokumente, nëse fiton zgjedhjet.

“Ish Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjes nëse do të dëbonte 13 apo 14 milionë emigrantë, gjë që do të ndante bashkëshortët e fëmijët nga njerëzit që kanë jetuar këtu për 20 apo 30 vjet”, thotë për Zërin e Amerikës Domingo Garcia nga Lidhja e Qyetarëve të Bashkuar të Amerikës Latine.

Disa u ankuan që nuk morën përgjigje as për rritjen e kostos së jetesës.

“Gjatë Bidenit është rritur inflacioni. Gjithçka është bërë shumë më e shtrenjtë. Gjërat janë tre apo katër herë më të shtrenjta se sa ishin gjatë presidencës së Trumpit. Çmimet e karburanteve janë shumë të larta”, thotë për Zërin e Amerikës Charles DiMauro, mbështetës i zotit Trump nga Kalifornia.

“Mendoj se disa nga pyetjet nuk po marrin përgjigje nga kandidatët, gjë që është për të ardhur keq”, thotë Hamton Brown, mbështetës i Presidentit Biden nga Kalifornia.

Një grup i mbështetësve të Presidentit Biden në Los Anxhelos, u përqendruan në temat e diskutuara, në vend që të vlerësonin paraqitjen e kandidatëve.

“Trumpi është gënjeshtar. Gjithçka që ai thotë janë gënjeshtra. Ai kurrë nuk do të na mbrojë ne, grave. Ai nuk do të mbrojë pakicat dhe do të na fusë në më shumë luftëra”, thotë për Zërin e Amerikës Lisa Serrano, mbështetëse e Presidentit Biden.

“Është e vështirë të shikosh dikë që gënjen rregullisht publikun amerikan. Biden po tregon vërtet kujdes për të drejtat e grave”, thotë për Zërin e Amerikës Denis Campos, mbështetëse e Presidentit Biden nga Kalfornia.

“Në këtë vend nuk po ndodhin shumë krime nga emigrantët. Ish-Presidenti Trump po e thotë këtë vetëm të nxisë mbështetësit e tij dhe të krijojë një vend ksenofobik dhe racist”, thotë për Zërin e Amerikës Mark Ramos, kryetar i Partisë Demokrate në Los Anxhelos.

Kanë mbetur më pak se pesë muaj deri në ditën e zgjedhjeve. Votuesit do të kenë një mundësi tjetër për të vlerësuar kandidatët në debatin e radhës, i cili është planifikuar të mbahet më 10 shtator./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN