MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Simptomat e goditjes nga i nxehti, si të mbrohemi

14.06.2024 - 09:10

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Simptomat e goditjes nga i nxehti, si të mbrohemi

Mjeku: Moshat më të rrezikuara nga i nxehti janë të moshuarit, fëmijët, por edhe gratë shtatzëna, si dhe pacientët me sëmundje kronike, veçanërisht ata që vuajnë nga zemra, diabeti, veshkat.

Goditja nga i nxehti fillon që me simptoma të lehta, që janë ulje tensioni, marrje mendsh, dhimbje koke, ndjesi e përgjithshme dobësie. Por mund të kalojë në të vjella, humbje ekuilibri, e deri në shtrim në spital.

Me marrjen e disa masave të thjeshta në përditshmëri, mund t’i shmangim këto efekte anësore të temperaturave të larta, që nisin që nga mosdalja në diell nga ora 11 paradite deri në 5 pasdite, përdorimi i veshjeve të lehta, të gjera e të pambukta, konsumimi i sa më shumë lëngjeve, sidomos ujit, shmangia e pijeve alkoolike, e pijeve me kafeinë dhe shumë sheqer.

Ka dhe profesione që janë të rrezikuara, për shkak të ekspozimit për një kohë të gjatë në diell, si ndërtimtaria dhe bujqësia.

Kini kujdes me ujin – Mos pini ujë shumë dhe shumë shpejt. Rekomandohet që të pihet një sasi e vogël dhe në mënyrë të rregullt gjatë gjithë ditës. Edhe një gotë me ujë të gazuar e një fetë limoni iu ndihmon që të shuani etjen. Gjithashtu, një gotë çaj i ftohtë është i shëndetshëm por është i mirë edhe në largimin e etjes.

Veshje e përshtatshme për kohën – Në mënyrë që të mos shkojmë gjithë djersë në punë, duhen mbi të gjitha këpuce komode, që të mbajnë peshën e trupit pa u lodhur. Vishni rroba me ngjyra të çelëta prej pambuku dhe linoje. Mos vishni rroba shumë të ngushta.

Bëni një dush të vakët – Një dush me ujë të vakët të ndihmon të largosh të nxehtin.

Ndihmoni qarkullimin – Kur keni pak kohë të lirë ecni në vende me gjelbërim, ose më mirë, në ujë. Pasi lëvizja aktivizon mikroqarkullimin, stërvit fizikun dhe lufton ndjesinë e të nxehtit. Gjithashtu hani shëndetshëm, në mëngjes mund të pini një gotë ujë me magnez, që ju ndihmon të rrisni energjinë. Ndërsa para drekës, hani sasi të bollshme frutash, të shtrydhur apo të gjallë, të shoqëruar me fruta të thata, të pasura me Omega 3.

Kujdes me dritaret e shtëpisë dhe kondicionerin – Zakonisht ne i mbajnë dritaret e hapura pasi mendojmë se do vijë ajër i freskët nga jashtë. Por në fakt është e kundërta, gjatë ditës të mbani mbyllur dritaret dhe grilat vlen gjithmonë, ndërsa gjatë mbrëmjes hapini për të ndryshuar ajri. Po ashtu, fikni elektroshtëpiaket që nuk i përdorni, që përveçse do ju kursejë në faturën e energjisë, nuk do shtojnë nxehtësinë. Nëse keni kondicioner në punë apo shtëpi mbajeni në temperatura normale, në mënyrë që kur të dilni jashtë të mos e ndjeni shumë vapën.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.