Ditën e sotme do të hapet aksi Thumanë-Kashar. Në lidhje me këtë lajm ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka postuar në rrjetet sociale pamje nga rruga e re. Kreu i qeverisë thotë se ky aks i shërben të gjithëve për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Rruga Thumanë-Kashar do të jetë e aksesueshme prej orës 19:00 të ditës së sotme.
“Dhe me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Në këtë aks do të lejohet shpejtësia 130 kilometra në orë dhe pritet që të lehtësojë trafikun e automjeteve nga Thumana dhe aeroporti i Rinasit.
Fluksi i automjeteve në këtë aks parashikohet të jetë tejet i lartë, sidomos gjatë periudhës së sezonit turistik, ndërsa vënia e tij në funksion pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun e automjeteve që krijohet shpesh në akset ekzistuese, si ai Fushë Krujë-Rinas dhe Rinas-Qafë Kashar.
Rruga e re ka një gjatë 21 kilometra dhe është ndërtuar përmes një koncensioni me afat 35 vite. Burimet financiare për ndërtimin e rrugës janë siguruar nga koncesioni dhe në kthim do të merren të ardhurat nga tarifat për kalimin në rrugë.