MENU
klinika

“Nxirrini armët nga magazinat!”

Stoltenberg: NATO do të përballet me diçka që nuk e ka menduar kurrë

17.06.2024 - 11:49

Në të ardhmen e afërt NATO do të mund të përballet me diçka me të cilën nuk është përballur kurrë më parë, ato janë Kina dhe Rusia. Paralajmërimi ekstrem vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për median britanike “The Telegraph”. Sipas shefit të NATO-s, vendet të cilat zotërojnë armë bërthamore po armatosen me një shpejtësi dhe sasi marramendësi, si rrjedhojë askush nuk është më i sigurt.

“Në një të ardhme jo shumë të largët, NATO mund të përballet me diçka që nuk është përballur kurrë më parë, dhe kjo janë dy kundërshtarë të mundshëm me energji bërthamore – Kina dhe Rusia. Sigurisht, kjo ka pasoja”, theksoi shefi i NATO-s.

Paralajmërimet e Stoltenberg vijnë pasi G7 kritikoi ashpër Kinën dhe Rusinë në një deklaratë të Përbashkët duke i bërë thirrje Pekinit të ndalojë furnizimin me teknologji të armëve për Moskën dhe kundërshtoi “militarizimin” e Pekinit në Paqësor, teatri i ri i luftës në dekadën e ardhshme. Stoltenberg shqetësohet pasi vendet të cilat posedojnë armë bërthamore nuk janë transparente dhe nuk dihet se si po i modernizojnë ato. Franca sipas tij, nuk e ka vënë akoma në dispozicion arsenalin e saj atomik.

“Numri i armëve bërthamore operacionale është tepër sekret, por vlerësimet sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar ka rreth 40 nga 225 të dislokuara në çdo kohë. SHBA ka rreth 1mijë e 700 nga 3mijë e 700 të dislokuara. Franca, fuqia e tretë bërthamore e NATO-s, nuk e vë në dispozicion arsenalin e saj atomik për aleancën për shkak të një vendimi të mbajtur prej kohësh për të ruajtur pavarësinë mbi parandalimin e saj”, tha Stoltenberg.

Vladimir Putin ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë dhe ka vendosur koka bërthamore më afër kufijve të Evropës. Megjithatë, ai kohët e fundit ka reduktuar kërcënimet e tij.

Kreu i NATO-s refuzoi të diskutonte se sa koka luftarake duhet të tërhiqen nga magazinat dhe të viheshin në gatishmëri, por zbuloi se kishte konsultime të drejtpërdrejta për këtë çështje. ‘NATO është në bisedime për të vendosur më shumë armë bërthamore përballë një kërcënimi në rritje nga Rusia dhe Kina’, tha kreu i aleancës. Jens Stoltenberg shtoi se blloku duhet t’i tregojë botës arsenalin e tij bërthamor për t’i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë armiqve të tij.