MENU
klinika

Banesat me qira ditore trend në rritje

Turistët tashmë akomodohen në apartamente që i gjejnë përmes platformave online

16.06.2024 - 17:24

Prej vitit 2020, kur individët u interesuan në mënyrë masive për apartamente me qira ditore për shkak të pandemisë, ky treg ka ardhur vetëm në rritje. Agjentë të tregut thonë se gjatë vitit të fundit dyndja ka qenë edhe më e madhe për shkak të fluksit të turistëve, të cilët shpesh zgjedhin të akomodohen në apartamente që i gjejnë përmes platformave online si “Air BnB” dhe “Booking”.

“Zona shumë e preferuar është e Pazarit të Ri, ku çmimet shkojnë deri në 70 euro/nata, Komuna e Parisit është po ashtu shumë e preferuar, Blloku dhe Myslym Shyri ngelen gjithashtu zona të preferuara. Këto të gjitha lidhen me sigurinë që ofrojnë si zona dhe fleksibilitetin e aksesin që kanë në qendër. Pra, çfarë janë zona afër qendrës janë gjithmonë në zhvillim, përgjithësisht çmimet variojnë 55 euro, 60 euro, 70 euro”, thotë agjenti imobiliar Dorjan Sanxhaku.

Agjentët pohojnë se me afrimin e pikut turistik, çmimet pësojnë rritje.

“Edhe në zonat bregdetare çmimet janë 60-70 euro mesatarisht. Në Sarandë shkojnë edhe 150 euro nata dhe në pikun e korrikut dhe gushtit shkojnë edhe 200 euro nata. Kjo vjen për shkak të kërkesës së madhe që ka dhe zhvillimit të turizmit. Ka më pak shtëpi sesa kërkohen, kjo rrit çmimin, plus është investuar. Tirana, Durrësi, Vlora dhe Saranda janë zona që kanë shumë zhvillim të kësaj industrie. Pas nuk ngelen as Korça e Gjirokastra. Pra, zonat që kanë të zhvilluar turizmin, kanë të zhvilluar edhe tregun e qirave ditore”, thotë Sanxhaku.

Për shkak të zhvillimit të kësaj industrie, tregu i qirasë afatgjatë po vjen në rënie.

“E vëmë re sidomos në Tiranë, ku shumë prej pronarëve që dikur jepnin apartamente me qira mujore janë kthyer në air bnb për shkak të kërkesës shumë të madhe, por edhe kthimit të investimit”, thotë Sanxhaku.

Paralelisht me bumin e këtij tregu, sfidë për autoritetet mbetet rregullimi i tij dhe vjelja e taksës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, vetëm në platformën “Air BnB” janë 3 mijë apartamente të paregjistruara dhe të pastandardizuara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN