Mazhoranca dhe opozita në nënkomisionin e posaçëm nuk arritën dje të gjenin konsensus për zgjedhjen e anëtarëve të rinj për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Në mungesë të kompromisit u përdor mekanizmi i zhbllokimit që parashikon ligji dhe kandidatët u zgjodhën nëpërmjet shortit. Nënkomisioni i posaçëm për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve dështoi të zgjidhte me marrëveshje emrat që do t’i çohen për votim seancës plenare.
Shorti përcaktoi që Artan Reçi dhe Albens Tabaku janë dy kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë u përzgjodhën me short Saimir Kola dhe Erind Mërkuri. Lista me 4 kandidatë i çohet seancës plenare dhe duhen 94 vota që ata të miratohen. Për shkak të mungesës së konsensusit, është e qartë se të gjithë kandidatët do të rrëzohen dhe sipas ligjit, nënkomisioni do të përsërisë procedurën 3 herë.
Nëse nuk ka konsensus për 3 raunde me radhë, herën e fundit lista me kandidatët quhet automatikisht e miratuar. Këta kandidatë duhet të marrin 84 vota në seancë plenare, në të kundërt procesi rifillon sërish në nënkomision. Komisioni zhvilloi seancat dëgjimore me kandidatët e kualifikuar për plotësimin e vakancave për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve.
Kandidatët Eris Hysi, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola paraqitën përpara nënkomisionit eksperiencën e tyre profesionale, vizionin dhe platformat kandiduese, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve. Kandidati Klodian Gjermeni nuk mori pjesë në dëgjesë për arsye shëndetësore. Pas dëgjesave, Bushka hodhi në votim secilin prej kandidatëve të kualifikuar. Deputeti Gazment Bardhi e vlerësoi procesin dhe vlerësimin e kandidatëve si të pambështetur në ligjin për organet e qeverisjes së organeve të drejtësisë dhe deklaroi se nuk do të merrnin pjesë në votim, ndërsa Bushka argumentoi se procesi për përzgjedhjen ka qenë i rregullt dhe konform Kushtetutës.
Për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë numrin e votave të nevojshme, procedura vijoi me përzgjedhjen me short nga ku u përzgjodhën Artan Reçi dhe Albenc Tabaku për KLGJ-në, si dhe Saimir Kola dhe Erind Mërkuri për KLP-në. Në përfundim të mbledhjes, Bushka sqaroi se katër kandidaturat do t’i kalojnë për shqyrtim seancës plenare.
DEBATI
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, debatoi ashpër me mazhorancën, në nënkomisionin “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e Avokatëve”, duke e cilësuar si proces të deformuar dhe me ndërhyrje të forte politike. Pas përsëritjes dhe 2 herë të procedurës, nëse nuk ka konsensus, të përzgjedhurit për votimin e tretë konsiderohen të zgjedhur. Ky proces u shoqërua me debate, pasi opozita e quajti të deformuar dhe akuzoi maxhorancën që po tenton të kapë institucionet e drejtësisë. Bardhi tha se e di e gjithë Tirana që Eris Hysi është njeri i Agaçit dhe është piketuar për kryetare e KLP”.
“Keni deformuar procesin. Është ndërhyrë politikisht në proces nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit. Nuk mund të japim konsesus për një proces të deformuar. Më thoni një rast kur keni dalë kundër raportit të sekretarit të përgjithshëm? Asnjë rast, sepse ju e përdorni politikisht atë. Ne konsensusin e japim vetëm mbi Kushtetutë. Në qoftë se ju keni përcaktuar kush do të jetë kryetar i KLGJ apo kryetar i KLP, ky është problem i juaj dhe ndërhyrje e juaja. Ne jemi me Kushtetutën dhe s’mund të pranojmë këtë ndërhyrje. E di e gjithë Tirana që njerëzit e Engjëll Agaçit janë piketuar për kryetar të KLP”, – deklaroi Bardhi.