Kur kanë kaluar 15 vite nga vrasja e ish efektivit Roland Rexhepi, policia e Elbasanit ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e 5 të kësaj ngjarje kriminale.
Bëhet fjalë për një 50-vjeçar, për të cilin në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Për këtë ngjarje aktualisht janë arrestuar 4 persona, njëri prej të cilëve, Donald Hoxha është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
Për vrasjen e Roland Rexhepit janë dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, përkatësisht me 23 dhe 24 vite burgi dhe Florind Shabani me 12 vite.
Njoftimi:
Vijon intensivisht puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
Si rezultat i hetimeve, identifikohet një tjetër autor i implikuar në një vrasje, të ndodhur në vitin 2009.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për këtë ngjarje janë arestuar 4 shtetas, njëri prej të cilëve është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
I ekstraduari nga Anglia i lokalizuar falë informacionit që dispononte DVP Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminalë, si edhe shkëmbimit në kohë të informacionit me autoritetet ligjzbatuese angleze.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., F. Sh. (të arrestuar) dhe D. H., (i ekstraduar nga Anglia 2 muaj më parë), kanë vrarë shtetasin R. R., në vitin 2009, në Elbasan.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë intensivisht punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Vrasja e ish-efektivit Roland Rexhepi nisi kalvarin e ekzekutimeve në Elbasan
Ekzekutimi i ish-efektivit të antikrimit Roland Rexhepi nisi kalvarin e gjatë të ekzekutimeve në qytetin e Elbasanit. Disa prej vrasjeve ende nuk janë zbardhur sot e kësaj dite. Ndërkohë që disa ekzekutime kanë tanimë autorë, ende nuk janë zbardhur se kush i porositi këto vrasje të ndodhura nga përplasjet mes grupeve kriminale.
Si autor i kësaj ngjarjeje u dyshua fillimisht Bledar Muça, i cili u largua jashtë Shqipërisë menjëherë pas krimit, megjithëse ndaj tij nuk pati asnjëherë një akuzë zyrtare nga prokuroria lokale.
Bledar Muça u kthye në Shqipëri dy vite më vonë, duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura se ishte ai pas vrasjes së Rexhepit. Tre vjet më vonë, Muça do ishte objektiv i një atentati në afërsi të Gjykatës së Elbasanit. Muça ndodhej në makinë me Florenc Çapen kur një breshëri automatiku është derdhur mbi ta. Nga atentati mbeti e plagosur edhe një efektive policie, e cila ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. Të paktën 29 gëzhoja u gjetën në vendngjarje, por jo autori i krimit, i cili u zhduk pa gjurmë edhe pse zona ishte tejet e populluar në ato momente.