Dy ditë pas vrasjes së recepsionistit Erald Nevruzi, policia nuk ka mundur ende të gjejë armën me të cilën Gerald Shehu e ekzekutoi.
Pak orë pas vrasjes u gjet gëzhojë, por jo arma nga ka dalë plumbi. Ndërkohë makina me targa angleze e autorit të dyshuar 43-vjeccar, u gjet në Sarandë.
Report Tv mëson se dy punonjësit e Hotel Greccia, Daniel Qose dhe David Larti, të cilët në kushtet e kërcënimit kishin bashkëpunuar me autorin, dalin nesër për masë sigurie në Gjykatën e Vlorës.
Vrasja
Pak pas mesnatës Gerald Shehu e qëlloi me dy plumba pistolete recepsionistin 31-vjecar, Eraldo Nevruzi në shkallët e hotelit, tërhoqi trupin zvarrë deri në katin e nëndheshëm të hotelit. Më pas ka detyruar dy punëtorët e hotelit, Daniel Qosja dhe David Larti ta ndihmojnë për ta zhveshur kufomën, mbështjellë trupin e viktimës me plastmas e çarçafë dhe transportuar në bagazhin e makinës.
Autori ka djegur rrobat në furrën e picave dhe pasi e ka hedhur trupin në një rrëpirë në zonën e Gjipesë është kthyer në shtëpi. Ka marrë çantën dhe është larguar drejt Greqisë për në aeroportin e Korfuzit nga ku synonte të arratisej drejt Anglisë. Burime nga policia thanë se është dërguar dokumentacion dhe pritet ekstradimi në Shqipëri i Gerald Shehut.
Viktima dhe autori kishin njohje në Angli ku dyshohet se mund të jenë përfshirë në botën e krimit. 31- vjeçari Eraldo Nevruzi kishte një javë që kishte filluar punë në hotelin në fjalë.