Për të gjithë njerëzit të cilët ndjekin me kërshëri dhe me besim opozitën dhe kishin shpresë se rikthimi i Bashës në krye të partisë pas dorëheqjes gjysmake, do shënonte ndryshimin e morën përgjigjen. Ata, që besonin në garancitë e tij, se rikthimi do projektonte një aksion tjetër dhe ndryshe të politikës, e konfirmuan përgjigjen. Në kthimin e Bashës, formacioni i tij politik ishte krejtësisht apatik dhe paqëndrueshmëria e njerëzve, që e përfaqësonin në parlament, tregoi se ata po vegjetonin (përjashtojmë modelin “Bardhi”). Me pak përjashtime dhe përpjekje, njerëzit që rinisën iniciativën e re me Bashën janë ende “të paqartë”. Anipse, më të paqartë mbeten individët që e kanë pritur alternativën e tij, që në ditët e fundit realisht shpalosi dhe programin, por nuk kishte planin “B”, në rast se nuk do të merrnin vulën (ashtu edhe si ndodhi në fakt). Më “të qartë” janë njerëzit që kanë apeluar e mendonin se z. Basha nuk është aq i ndarë me z. Berisha. Nëse kjo do të provohet kjo e fundit dhe disa shenja janë, zhgënjimi i demokratëve dhe shqiptarëve në përgjithësi për politikën e tyre do jetë e pamatë. Një nga provat më cinike: në momentin që formacioni i tij nxinte prej humbjes së vulës, por edhe më vonë, i vetmi ndoshta që nuk shprehu as edhe më të voglën keqardhje për humbjen e legalitetit të formacionit të tij ishte vetë ai, kryetari i rikthyer Basha. A e ka luksin formacioni i tij të presë vendimin e Gjykatës së Lartë, kur tashmë është edhe vetë pa tagër dhe publiku në javët e fundit para zgjedhjeve, fillon e mendon me “pragmatizëm”?
Shpalosja e programit i jep pak frymë justifikimit të tij, por mungesa e planit “B” në rastin e vulës, tregon se z. Basha do të vazhdojë me retorikën e tij politike dhe mbajtjen e shpresës boshe, për të cilën ka treguar se është mjeshtër i pazakontë në skakierën politike shqiptare. Për fat të keq, Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo më shpresa, pasi kjo e fundit e ka nanuritur pritshmërinë ndryshe. Nuk quhet më shpresë ajo që sajon gjithnjë Basha për të kaluar situata dhe për t’ia lënë sërish vendin stadit tjetër (kur rikthehet konjuktura) të momentumeve, që nuk i përkasin. Z.Basha nuk mundi t’i trandte reciprokisht Ramën, Berishën dhe Metën, trekëndëshin e tij të njohur të Bermudës, sepse i mungonte një gjë e thjeshtë, që quhet idealizëm mbi përkorjen individuale.
Jonas Salk, në të gjallë një virolog i njohur, i cili realizoi vaksinën e poliomielitit, e përmblodhi kështu në fushën e tij idenë për shpresën:”… qëndron në ëndrrat, në imagjinatën dhe në guximin e atyre që guxojnë t’i bëjnë ëndrrat realitet“. Veçse, ky nuk ishte rasti juaj, z. Basha. Cikli tani u mbyll dhe jo me nder.