MENU
klinika

Hoqën vizat për poseduesit e pasaportave serbe

Albin Kurti, kritika të ashpra ndaj BE-së

23.07.2024 - 14:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “të padrejtë dhe të dëmshëm” vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Ky vendim, sipas tij, është “edhe dekurajues për integrimin e serbëve të Kosovës”. Por, shtoi Kurti, “ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit”. Kurti i bëri këto komente për gazetarët, gjatë përurimit të disa hapësirave të rinovuara në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e morën vendimin e lartpërmendur më 22 korrik. Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.
Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta qysh në nëntor të vitit të kaluar. Kosova nuk i njeh pasaportat e Drejtorisë Koordinuese të Serbisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës. Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti./ REL