MENU
klinika

I keni dëgjuar këto për Parisin?

Ana e errët e ‘kryeqytetit të dashurisë’

13.07.2024 - 18:57

Katakombet e Parisit tërheqin çdo vit mijëra vizitorë. Por pak njerëz e dinë historinë e pazakontë të këtyre tuneleve të frikshme. Ndërsa janë emërtuar sipas Katakombeve të Romës, që u ndërtuan në shekullin I nga të krishterët dhe hebrenjtë, që ishin të detyruar të kryenin në fshehtësi ritet e tyre të varrimit, Katakombet e Parisit u ngritën në shekullin XVIII-të si përgjigje ndaj dy problemeve laike:gropave që hapeshin befas dhe numrit të madh të të vdekurve.

Notrë Dame, Lë Invalid, Luvri:shumica e godinave më të famshme të ‘Qytetit të Dritës’ janë ndërtuar me gur gëlqeror lutecianë, ose nga “Guri i Parisit”, i nxjerrë nga guroret në periferi të Parisit që nga koha e Perandorisë Romake, kur Parisi njihej si një fshat me emrin Lutecia. Por në fund të shekullit XVIII-të, qyteti ishte zgjeruar aq shumë, sa që pjesa më e madhe e tij ishte ndërtuar mbi minierat e vjetra, duke çuar në hapjen e papritur të gropave. Në vitin 1774, një gropë e madhe e hapur në Rue de l’Enfer (“Rruga drejt Ferrit”) gllabëroi shtëpi, karroca dhe njerëz, të cilët u zhytën mbi 25 metra nëntokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Gropa të shumta u hapën edhe gjatë viteve të ardhshme, duke shkaktuar panik dhe zemërim. Në përgjigje të këtij problemi, Mbreti Luigji XVI krijoi në vitin 1777 Inspektoriatin e Përgjithshëm të Galerive, për të hartuar vendndodhjen e saktë dhe mirëmbajtjen e guroreve. Kryeinspektori Sharl-Aksel Gijomo, nisi një garë me kohën për t’i zbuluar dhe mbrojtur minierat nga shembja. Në fund zgjidhjen ia ofroi një problem në rritje i shëndetit publik. Në shekullin XVIII-të, shumica e parisienëve varroseshin në varre të përbashkëta në territorin e kishës që ndodhej në lagjen e tyre.

Varret liheshin të hapura derisa mbusheshin, një proces që mund të zgjaste për muaj me radhë. “Trupat do të dekompozoheshin gjatë 5 viteve. Më pas varri do të rihapej, prej andej do të nxirreshin eshtrat, të cilat do të zhvendosen në një Katakomb”- thotë dr.Erin-Mari Legasei, autore e librit “Krijimi i hapësirës për të vdekurit:Katakombet, varrezat dhe ri- imagjinimi i Parisit 1780-1830”. Varrezat më të mëdha në Paris ishin ato të të Pafajshmëve të Shenjtë, që kishte qenë në përdorim të vazhdueshëm për më shumë se 500 vjet. Ndërsa qyteti sipër u rrit, mbipopullimi në këto varreza u bë një problem i madh. Ndaj nga mesi i viteve 1700, 10 për qind e të vdekurve të qytetit varroseshin atje çdo vit.

Të gjallët dhe të vdekurit ‘ziheshin për hapësirë’, sidomos aty ku varreza kufizohej me tregun e zhurmshëm Les Halles. Historiania Rozmari Ueikiman shkruan:”Dekompozimi i trupit të njeriut i përzier me gjakun dhe zorrët e kafshëve në treg, dhe me grumbuj plehrave përreth, krijonin një erë të keqe shumë të rëndë. Kjo e shndërroi Les Halles në një burim infeksioni dhe sëmundjesh”.

Shkrimtari francez i kohës Luis-Sebastien Mersie paralajmëroi se “miazma e kufomave kërcënon ta helmojë atmosferën e qytetit”. “Miazma ishte ajri i ndotur që mendohej se përhapte sëmundje”- thotë Dejvid Barnes, autor i librit “Era shumë e keqe e Parisit dhe lufta gjatë shekullit XIX kundër pisllëkut dhe mikrobeve”.

Ndërsa teoria e mikrobeve nuk njihej ende, dihej se njerëzit që jetonin dhe punonin në zona pranë varrezave, thertoreve ose ndonjë qendre kryesore të lëndëve organike të dekompozuara, kishin më shumë gjasa të sëmureshin se të tjerët”-thotë Barnes. Disa bënin përgjegjës Zotin ose armiqtë e tyre. Por për shumë njerëz, fajtori ishte thjesht “ajri i keq”. Shqetësimi në rritje për higjienën, përkoi me fuqinë në rënie të Kishës Katolike në Francë. Në vitin 1765, Parlamenti i Parisit e dënoi varrimin në kishë për thuajse të gjithë qytetarët, dhe vendosi që pas janarit, funeralet do të bëheshin në varreza të reja jashtë kufijve të qytetit. “Republikanët në Francë, e shihnin veten si pararojën e së ardhmes së qytetërimit dhe Kishën si antitezën e gjithçkaje që ishte moderne, e qytetëruar dhe e shëndetshme. Pastrimi i qyteteve, fshatrave dhe fshatrave të Francës, ishte një projekt politik i përshtatur si një kryqëzatë shëndetësore shkencore dhe laike”- thekson Barnes.

Ligji ishte i papëlqyeshëm për besimtarët që donin të varroseshin aty ku ishin prehur për shekuj me radhë familjet e tyre. U desh një krizë e re që të vuloste fatin e varrezave pariziane. Në pranverën e vitit 1780, banorët e Rue de la Lingerie në skajin perëndimor të varrezave nisën të ankoheshin për probleme me frymëmarrjen, të vjella dhe gjendje delirante. Kur atje shkuan inspektorët, u zbulua se gazrat që kishin dalë nga trupat në dekompozim kishin depërtuar nëpër muret e bodrumeve dhe ishin ngjitur në katin e parë të të paktën 3 shtëpive. Një dekret mbretëror e shpalli varrezën një kërcënim për qytetin dhe e mbylli atë. Në dhjetor 1785, punëtorët nisën të zhvarrosnin gjatë natës trupat nga varreza e të Pafajshmëve të Shenjtë dhe t’i transportonin në vendin e tyre të ri të prehjes:Katakombet e qytetit, shkruan Living.

Ishte një zgjidhje e përshtatshme, sepse minierat e mëdha nëntokësore që ofronin një zgjidhje lokale (dhe më sanitare) të magazinimit. “Varreza Komunale e Parisit”- siç u emërtuan zyrtarisht Katakombet, u hap më 7 prill 1786. Shpërthimi i Revolucionit Francez në vitin 1789 i ndaloi përkohësisht planet e Gijiomo, por ndërsa trupat u grumbulluan gjatë Mbretërimit të Terrorit, të vdekurit e qytetit nisën të varroseshin drejtpërdrejt në Katakombe, të cilat kishin fituar reputacionin e “Perandorisë së të vdekurve”.

Në Katakombe nuk ka gurë varri apo shënime për individë të veçantë. Parisienët e shtresave dhe shekujve të ndryshëm prehen krah për krah njëri-tjetrit. “Katakombet janë një hapësirë ​​barazie. Kockat e fisnikëve ndodhen pranë atyre të të varfërve. Barazia në vdekje kishte qenë prej kohësh një mesazh i Krishterë, por në vazhdën e Revolucionit Francez , ai ka një nuancë të fortë politike”- thotë Legasei.

Kockat e mbi 6 milionë trupave u rreshtuan në harqe, tunele dhe mure. Katakombet e Parisit kanë qenë një atraksion turistik që kur Napoleon Bonaparti urdhëroi hapjen e tyre për publikun në vitin 1809. Për disa, ishte një hapësirë ​​për të vajtuar dhunën e Revolucionit, “veçanërisht përballë viktimave të ngjarjeve famëkeqe siç ishin Masakrat e Shtatorit , kur mbi 1000 njerëz u vranë brenda 4 ditësh” thotë Legasei.
Të tjerë kërkuan emocione dhe argëtim. “Ishte një mënyrë për t’u përballur në një mënyrë të sigurt me vdekjen dhe dhunën pas një periudhe të trazuar dhe me shumë me ankth”- thekson Legasei. Me kocka janë mbushur vetëm 1.5 km nga 300 km tunele që formojnë Katakombet e Parisit.

Pjesa tjetër e tuneleve janë përdorur për çdo gjë, nga kultivimi i kërpudhave nëntokësore, tek magazinimi i birrës, si vendstrehime gjatë bombardimeve apo si vend takimi për Rezistencën Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Që nga viti 1955, është e ndaluar hyrja në Katakombe pa leje.

Megjithëse eksploruesit e njohur si “katafilë” zbresin në errësirë ​​për të eksploruar botën e fshehur poshtë Parisit. Një degë speciale e policisë së Parisit, e quajtur “cataflics” patrullon vazhdimisht nën rrugët e qytetit. Në vitin 2004, oficerët zbuluan atje një kinema dhe bar që ishin hapur pa leje.