MENU
klinika

Eksperti: Rrit kreditimin dhe konsumin

Banka e Shqipërisë uli normën e interesit

08.07.2024 - 20:10

“Ulja më e fundit e normës bazë të interesit me 0.25% nga ana e Bankës së Shqipërisë jep disa sinjale të vlefshme për zhvillimet në vijim në sektorin bankar shqiptar dhe ekonominë kombëtare”.

Kështu u shpreh eksperti i tregjeve financiare Elvin Meka, në një prononcim për ATSH-në, lidhur me vendimin e fundit të Bankës Qendrore për uljen e normës bazë të interesit për lekun, për herë të parë pas gati dy vitesh.

Akademiku i shkencave ekonomike, Meka tha se, “efekti i parë i një ulje të tillë do të jetë një rënia apo lehtësimi i kostos së huave në Lek, e cila besohet se do të transmetohet relativisht shpejt në gjithë sektorin bankar”.

Nga ana tjetër, vijoi ai, një ulje e kostos së Lekut nënkupton automatikisht edhe një ulje thuajse të menjëhershme të kostos së borxhit publik tani e në vijim, jo vetëm për atë afatshkurtër, por dhe atë afatgjatë.

Ndërkohë, ajo çka lexohet mes rreshtash nga kjo ulje e normës bazë të interesit është sinjalizimi i ndryshimit të plotë 180 gradë të qasjes së politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në përputhje me rënien e shpejtë të inflacionit, ose më saktë të uljes së fortë të ritmit të rritjes së tij gjatë dy muajve të fundit.

Profesori ekonomisë deklaroi se, “tashmë duket qartë se prioriteti i politikës monetare është kujdesi ndaj mos rrëshqitjes së ekonomisë në deflacion, çka nënkupton një përpjekje më të vështirë dhe komplekse për ta sjellë inflacionin në objektiv”.

“Me një inflacion në objektiv dhe që nuk rritet më hapen mundësitë edhe për ulje të tjera në fund të tremujorit të tretë ose në fillim të tremujorit të katërt”, u shpreh ai, teksa nënvizoi se në thelb, një masë e tillë synon të nxisë konsumin në brendshëm në ekonomi.

“Përmbledhtazi, kjo ulje e normës bazë të interesit, më shumë sesa lehtësimin e kostos së huamarrjes dhe borxhit publik synon nxitjen e konsumit dhe dekurajimin e kursimeve, të cilat gjatë 2 viteve të fundit njohën një rritje të fortë, pjesërisht edhe për arsye të rritjes së fortë të interesave të depozitave dhe instrumenteve të tjera financiare në tregun e letrave me vlerë në Shqipëri”, deklaroi për ATSH-në akademiku Meka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BSH: Presione për shtrenjtim të naftës

A do ketë sërish rritje çmimesh?