MENU
klinika

Pas vizitës së Lavrovit

BE dhe SHBA kërkesë Serbisë: Distancohu nga Rusia

02.07.2024 - 21:32

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje sërish Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar të mos i ofrojë asaj platformë për ta promovuar luftën agresore, pasi Beogradi e priti të martën në një vizitë zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Grushko u prit më 2 korrik nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin serb zhvilloi takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Serbisë.

“Bashkimi Evropian ka qenë shumë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale me luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar agresore të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ai tha se Këshilli i BE-së e njeh ndihmën humanitare dhe mbështetjet e tjera që Serbia i ka dhënë për Ukrainën, por se pret nga ajo – si vend kandidat për anëtarësim në BE – të përafrohet me politikën e jashtme të bllokut evropian.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha në një përgjigje për REL-in se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për ta promovuar luftën e saj agresore kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë interes të madh në rezultatin e luftës ruse kundër Ukrës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është tejet e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar përballë agresionit të Rusisë”, tha DASH.

SHBA-ja gjithashtu vlerësoi mbështetjen që Serbia ia ka dhënë Ukrainës deri më tani.

Gjatë takimit në Beograd, Vuçiq, e falënderoi Grushko për mbështetjen e tij në lidhje me Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin maj.

Vuçiq postoi në Instagram një fotografi nga takimi me zëvendësin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku shkroi se e falënderon Rusinë veçanërisht për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, tha presidenti serb.

Një ditë më herët, Grushko takoi edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të sigurisë dhe shprehu nevojën për koordinim të vazhdueshëm të institucioneve kompetente të sigurisë, njoftoi MPB-ja serbe.

Grushko u prit edhe nga zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Moskën.

Krahas bashkëpunimit politik, Serbia dhe Rusia janë duke thelluar edhe bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Serbia ka mbështetjen e Rusisë në kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian, Serbia nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.