Këshilli i BE-së i ka zgjatur mandatin e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Lajmi u bë i ditur zyrtarisht sot nga Këshilli i BE-së përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare. “Miroslav Lajçakut, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, i është vazhduar mandati deri më 31 janar, 2025”, thuhet në vendim. Emërimi fillestar u bë më 2 prill 2020. Më herët, Lajçak ishte nominuar nga shefi i diplomacisë evropiane në largim Josep Borrell, për ambasador të Bashkimit Evropian në Zvicër. Pas përfundimit të mandatit, Bashkimi Europian ia kishte zgjatur mandatin edhe pas 1 prillit 2021, për 18 muaj. Por, kjo nuk kishte qenë zgjatja e fundit e mandatit.
Sllovakut, më 18 korrik, Unioni ia kishte besuar edhe një herë – me shumë gjasë e fundit – detyrën (24 muaj) në krye të negociatave për të arritur një marrëveshje kompromisi mes dy vendeve ballkanike që assesi të merren vesh. Gjatë kohës kur Miroslav Lajçak ka negociuar procesin e dialogut nuk është bërë ndonjë progres domethënës, madje situata mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë tejet e tensionuar. Po ashtu, ka pasur kritika – sidomos nga zyrtarët kosovarë – se ndërmjetësuesi Lajçak “po mban anën” e Serbisë. Arritja më e madhe e sllovakut, në detyrën që Unioni ia kishte besuar, është Marrëveshja Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars). Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Lajçak-ut, dhe shefit të tij, Josep Borrell, për atë që tani njihet si Marrëveshja Bazike, përmbante 11 nene, përmes të cilave Bashkimi Evropian dhe SHBA, besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.