Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka njoftuar planet për tërheqjen nga kompeticionet futbollistike ndërkombëtare.
CR7 luan Kampionatin e tij të 6 Europian. Mbrëmë, Portugalia u kualifikua me penallti përballë Sllovenisë. Por në pjesën e parë të shtesave, Ronaldo humbi një penallti që u prit nga portieri slloven, duke bërë që ai të shpërthente në lot. Gabimin “e rregulloi” duke realizuar kur ndeshja shkoi me penallti.
Tashmë 39-vjeçar, Euro 2024 duket se do të jetë Kampionati i tij i fundit Europian.
Këtë gjë e ka konfirmuar vetë ai për gazetën portugeze “O Jogo”.
“Është padyshim Kampionati im i fundit Europian. Por nuk emocionohem për këtë, unë emocionohem për gjithçka që ka të bëjë me futbollin. Nuk bëhet fjalë për të lënë futbollin, sepse nëse e bëj, çfarë tjetër do të më duhej të bëja apo të fitoja? Të bëj njerëzit të lumtur është ajo çka më motivon më shumë”, ka thënë Cristiano Ronaldo.
Përveç penalltisë në shtesa, Ronaldo ende nuk ka shënuar një gol brenda kohës së rregullt në këtë Kampionat Europian.