MENU
klinika

Çfarë dihet sot për 70-vjetorin e saj

DW: Angela Merkel, figurë simbol për Europën!

17.07.2024 - 13:07

Kur Angela Merkel, kancelarja e parë dhe deri tani e vetme e Gjermanisë, u zgjodh për herë të parë në këtë post, askush nuk besonte ajo do të drejtonte për 16 vjet me radhë fatet e vendit. Merkel mbush tani 70 vjeç.

Kur Angela Merkelu zgjodh në vitin 2005 si kancelarja e parë e Republikës Federale të Gjermanisë, nuk ishin të paktë zërat që dyshonin, nëse ajo e kishte vërtet vullnetin për postin e kancelares. Askush nuk besonte në atë kohë se pikërisht Merkel do të ishte për 16 vjet me radhë kancelare e Gjermanisë. Para saj këtë e kishin arritur vetëm dy kancelarë: Konrad Adenauer i CDU-së (në vitet 1949-1963) dhe Helmut Kohl po i CDU-së, (1982-1998).

Por Merkeli nuk u bë rastësisht e “ashtu si për të thënë” kancelare e Gjermanisë. Dëshirën e saj për pushtet, ajo e ka treguar që herët. Në mes të skandalit së donacioneve të Partisë Kristiandemokrate, CDU, ajo e kritikoi hapur në një artikull gazete mentorin e saj politik, Helmut Kohlin. Pak kohë pas artikullit ajo u zgjodh kryetare e partisë CDU. Më parë ajo kishte mbledhur përvojë si ministre në kabinetin e Kohlit.

Merkeli dhe CDU-ja

Politika ka nevojë për pushtet. Këtë ajo e dinte mirë dhe prandaj ndryshoi edhe shumë elementë programatikë të partisë CDU duke e orientuar atë më afër qendrës së spektrit politik. Temat si shërbimi i detyruar ushtarak, energjia bërthamore dhe modeli i një familjeje klasike, që ishin dikur bërthama e bindjeve kristiandemokrate, Merkeli i ndryshoi. Në vitin 2011 ajo shpalli edhe heqjen dorë graduale të Gjermanisë nga energjia bërthamore.

Kritikët thonë se ajo e ka sfumuar profilin e partisë, e ka bërë CDU-në më shumë social-demokrate. Disa anëtarë të CDU-së madje krijuan një parti të re, “Alternativa për Gjermaninë”. Por tek të rinjtë kursi i Merkelit duket se gëzonte simpati.

Figurë simbol për Evropën

Instinkti i saj për pushtet, mjeshtëria e saj taktiko-strategjike dhe aftësia për t’u përshtatur, e bënë Merkelin edhe një nga politikanet më të rëndësishme të Europës dhe të Gjermanisë.

Si në samitet e G7-s apo në samitet e BE-së Merkeli ishte mbrojtëse e fortë e interesave gjermane në arenën ndërkombëtare. Gjatë krizës ekonomike dhe financiare të Europës Merkeli u kthye në një figurë simbolike të shpëtimit të euros.

Angela Merkel dhe refugjatët

Në tetor 2022 Komisariati i OKB-së për refugjatët UNHCR i dha ish-kancelares Angela Merkel çmimin e njohur Nansen për politikën e saj ndaj refugjatëve.

Për qëndrimin ndaj refugjatëve, hapjen e kufijve në vitet 2015 dhe 2016 dhe veçanërisht për sloganin e saj “Ne do t’ia dalim” Merkel u kritikua shumë në Gjermani.

Në kulmin e luftë së Sirisë Gjermania pranoi më shumë se 1,2 milionë refugjatë dhe azilkërkues.

Jetë në dy shtete gjermane

Merkel është lindur më 17 korrik 1954 në Hamburg, në ish-Gjermaninë Perëndimore. Merkel është me prejardhje gjermane dhe polake. Pas lindjes së saj i ati që ishte prift protestant u emërua në një kishë në landin e Brandenburgut, që asokohe ishte në ish-Gjermaninë Lindore.

Në kujtimet e saj me titull “Liria – Kujtime 1954 – 2021”, që do të botohet në nëntor, Merkel rrëfen për “jetën e saj në dy shtete gjermane – 35 vjet në ish-Gjermaninë Lindore dhe 35 vjet në Gjermaninë e ribashkuar.

Merkel është gruaja e parë dhe deri tani e vetmja që ka qenë kancelare e Gjermanisë. Megjithatë pas largimit të saj nga politika trashëgimia e Merkelit është përballur me kritika, veçanërisht për qasjen e saj ndaj Moskës si dhe varësisë së Gjermanisë ndaj gazit rus./DW